Erion Veliaj: Prokurori më ka fyer dhe kërcënuar, kërkoj nga Gjykata ta publikojë audion

Pasi publikoi një dokument që pasqyronte debatet me prokurorin Ols Dado gjatë seancës gjyqësore, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ka bërë një tjetër reagim.
Edhe në reagimin e dytë Veliaj insiston se prokurori ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj tij gjatë seancës gjyqësore.
Madje kryebashkiaku i Tiranës i ka bërë thirrje GJKKO-së të bëjë publike audion e seancës gjyqësore.
“E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.
Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë.
Ama, unë do të vijoj të çmontoj atë dosje të stisur kundër meje çdo ditë, pak nga pak, siç kam bërë deri më sot.“