Erion Veliaj pranon gjithçka dhe nuk pendohet: U qëndroj prapa, Duka është kthyer në neverinë e aksionarëve
Federata Shqiptare e Futbollit në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ka publikuar audio-inçizime ku dëgjohet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj duke ofenduar rëndë Armand Dukën.
Sipas audio-incizimit të publikuar, Veliaj duket i përkushtuar ta rrëzojë në çdo mënyrë nga froni kryetarin Duka.
Kryetari Veliaj ka pranuar se është zëri i tij dhe se i qëndron prapa çdo fjalë që e ka thënë në takimin e të dielës me anëtarët e Shoqatës të Tiranës.
“U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!
Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes! Pavarësia” e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve.” – ka qenë reagimi i Veliajt pas publikimit të audio-incizimit.
Tash e disa ditë nëpërmjet medieve, ekipa e Veliajt është lëshuar në sulm ndaj FSHF-së dhe vet kryetarit Duka, duke tentuar që ta dëmtojnë sa më shumë.
Sot është një ditë e rëndësishme sa i përket futbollit shqiptar dhe zgjedhjeve për kryetar pasi do të votohet kryetari i Shoqatës Rajonale të Tiranës. Këtë pozitë deri më tani e ka mbajtur legjenda dhe ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Sulejman Mema.
Zgjedhjet për Kryetarin e ri të FSHF-së do të mbahen më 2 prill.