Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa paraqiten në gjykatë (VIDEO)

Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa paraqiten në gjykatë (VIDEO)

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka dalë nga blloku i sigurisë në rrugën “Mine Peza” për t’u paraqitur në ambientet e GJKKO-së, atje ku ka mbërritur edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa e shoqëruar nga forca policie.

Në orën 08:30 pritet nisja e seancës gjyqësore, ku do të shqyrtohen masat e sigurisë ndaj tyre dhe 5 biznesmenëve. Siç raporton Klan News, në njoftimin e Gjykatës së Posaçme mungon emri i biznesmenit Sokol Kryeziu, që ende nuk dihet nëse do paraqitet në datë tjetër.

Ndërkohë, punonjës të bashkisë e qytetarë janë mbledhur para gjykatës në shenjë mbështetje ndaj kryebashkiakut.

Kujtojmë se kreu i bashkisë së Tiranës u shoqërua nga agjentët e BKH-së më 10 Shkurt, pasi Gjykata e Posaçme i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, i akuzuar për dy vepra penale, ajo e “korrupsionit pasiv” (në 9 raste) dhe “pastrim parash”. Për të njëjtat akuza, është caktuar masa e “arrestit në shtëpi” ndaj bashkëshortes së tij, me arsyetimin se është nënë e një fëmije të mitur.

Siç thuhet në dosjen e SPAK, dyshohet se çifti kishin ngritur një skemë të tërë korrupsioni. Ndërsa Veliaj në dy reagime të tij nga qelia e paraburgimit ka mohuar të gjitha pretendimet, duke theksuar se çështja penale ndaj tij dhe bashkëshortes është një histori e sajuar nga prokurori i dosjes, të cilin e konsideron “individ pervers”.

Shpërndaje në: