Erdogani tek Putini – Një kthesë në kohë rekord
Me një takim të presidentëve të Rusisë dhe Turqisë merr fund ngrirja e marrëdhënieve midis dy vendeve për shkak të goditjes së nja avioni luftarak rus. Ritmi i ndryshimeve i habit ekspertët. Ngrirja në raportet mes Rusisë dhe Turqisë zgjati vetëm rreth shtatë muaj, riafrimi vetënmgjashtë javë. Kur presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan të martën (09.08) do të udhëtojë për në Rusi për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, që të dy do të kenë bërë një kthesë prej 180 gradë. Vizita e presidentit turk faktikisht përfundon në qytetin e Putinit Shën Peterburg. Atje Erdogani do të shprehë keqardhjen për goditjen e bombarduesit rus të tipit Su-24 në kufirin turko-sirian më 24 nëntor 2015 nga ushtria turke dhe do të kërkojë falje prej familjeve të viktimave.
Incidenti, prej të cilit gjetën vdekjen dy ushtarakë rusë, i ftohu marrëdhëniet mes dy partnerëve të ngushtë. Rusia reagoi ndër të tjera me ndalimin e importeve të produkteve ushqimore turke dhe anuloi të gjitha fluturimet charter për në Turqi, aq e frekuentuar prej turistëve rusë. Përveç kësaj Moska pezulloi dy projekte të mëdha: ndërtimin e një linje gazsjellësi përmes Detit të Zi dhe një centrali atomik. Lidhur me këto do të vendosin tani personalisht Putini dhe Erdogani.
Sulmet verbale me sa duket janë harruar
Riafrimi është për më tepër i papritur, nëse ke parasysh, se si të dyja palët kanë shkuar me njera-tjetrën para pak kohësh. Ndonëse Erdogani shprehu menjëherë keqardhjen për sulmin e avionit luftarak rus, ai theksoi, se vendi i tij nuk toleron shkeljen e kufirit. Në javët që kishin paraprirë disa herë Turqia kish protestuar për shkeljen e hapësirës ajrore turke në kufirin me Sirinë prej bombarduesve rusë. Në Perëndim u rrit shqetësimi nga një konflikt eventual ushtarak mes Rusisë dhe Turqisë, e cila është anëtare e NATO-s.
Putini e quajti goditjen e avionit rus si “thikë në shpinë”. “Allahu ka vendosur, ta ndëshkojë klikën qeverisëse në Turqi dhe i ka hequr asaj arsyen”, shfreu ai në një fjalim në fillim të dhjetorit 2015. Veç kësaj Moska e akuzoi udhëheqjen turke, se është e implikuar në bizneset e naftës me milicët terroristë të “Shtetit Islamik”. Pothuajse çdo ditë televizioni shtetëror rus ngrinte akuza kundër Erdoganit. Një populist i djathtë me emër, propozoi madje në parlament, që të hidhej një bombë atomike në Bosfor, për ta “shpëlarë” metropolin milionësh turk.
Por me sa duket që prej disa javësh është shpëlarë indinjata ruse. Vetëm pak ditë pas letrës drejtuar Putinit Erdogani sërish telefonoi me presidentin rus. Gjatë kësaj telefonate u ra dakord për takimin, që do të zhvillohet tani. Putin shfuqizoi ndalimin e fluturimeve charter për turistët rusë drejt Turqisë. Pas puçit të dështuar të ushtrisë turke kundër Erdoganit ka pasur edhe një telefonatë tjetër, kësaj here me nismën e Moskës. Putini në mënyrë demonstrative e mështeti Erdoganin.
Ankaraja përmbush kushtet e Moskës
Të tilla “kollotumba në marrëdhëniet ruso-turke” çorodisin edhe vëzhgues me përvojë, shkruan eksperti i Moskës për politkën e jashtme, Fjodor Lukjanov, në një artikull në gazetë. “Në rast nevoje fjalët më të ashpra mund të harrohen”, vëren kryeredaktori i revistës “Rusia në politikën globale”.
Ndër të tjera është e mundur që krahas të kërkuarit falje, Turqia ka përmbushur edhe dy kushte të tjera të Moskës, të paktën pjesërisht, thonë vëzhguesit rusë. Pilotët ushtarakë turq përgjegjës për goditjen e avionit rus janë në burg. Veç kësaj Ankaraja ka sinjalizuar se është e gatshme, të flasë për zhdëmtim.
Afrim jo pa pengesa
Ekspertët rusë parashikojnë, që zhvillimet aktuale në Turqi do ta nxisin tani këtë vend më fort drejt Moskës. Me këtë ata kanë parasysh kritikët e BE-së, të SHBA-së dhe të Perëndimit në përgjithësi ndaj kufizimeve të demokracisë që ka ndërmarrë Erdogani si pasojë e puçit të dështuar. Rusia madje mund të bëhet një mbrojtëse e re e Turqisë, mendon Viktor Nadein-Rajevskij nga Instituti rus për Studimet politike e sociale të Hapësirës së Detit të Zi dhe rajonit të Kaspikut. “Kohët e fundit bëhej fjalë për një antarësi të Turqisë në Organizatën e Shangait për Bashkëpunimin dhe në Unionin Ekonomik Euro-Aziatik”, i tha ai Deutsche Welle-s. Në të dyja organizatat Rusia është forca drejtuese.
Nadein-Rajevskij beson, se marrëdhëniet ekonomike ruso-turke mund të ripërtërihen “relativisht shpejt”. Riafrimi politik në të kundërt do të jetë i vështirë. “Problemi kryesor është Siria”, thekson eksperti. Turqia do një ndryshim qeverie në Damask, ndërsa Rusia e mbështet presidentin sirian Bashar al Assad edhe ushtarakisht.