Erdogani nuk kthehet dot pas
Në këtë kontekst ata as nuk u rezervuan që t’i shpallnin si “të pafe” e kësisoj edhe si objektiv të sulmeve të dhunshme ata që preferojnë mënyrën perëndimore të jetesës. Madje zyra e religjionit si instanca më e lartë fetare e republikës laike ishte shprehur në predikimin e shpërndarë në xhami kundër festimeve me rastin e Vitit të Ri, që nuk është në përputhje me kulturën islame.
Terrori do të vazhdojë
Kështu pyetja nuk ishte më nëse, por vetëm se ku do të godisnin terroristët e armatosur radikalë islamistë natën e Vitit të Ri. Për këtë arsye policia në Stamboll kishte mobilizuar 17.500 forca, në mënyrë që të parandalohej një masakër. Por pikërisht në „Reina” ndodhej vetëm një polic, që u qëllua prej atentatorit, përpara se ai të qëllonte verbërisht ndaj njerëzve duke vrarë e plagosur. Teoritë e komplotit nuk mungojnë. Por fakt është, që Turqia ndodhet para krizës më të vështirë në politikën e brendshme, madje para kaosit më të madh që prej themelimti të saj në vitin 1923.
I verbëruar prej qëllimit të tij, për ta kthyer Turqinë në një republikë presidenciale dhe për ta shpallur veten një sundimtar të vetëm ndaj vendit dhe popullit, kalkulimet e gabuara të një pas njëshme të Erdoganit po çojnë në vetëshkatërrimin e tij. Kohët, kur Erdogani si reformator entuziazmonte BE-në e kësisoj edhe Gjermaninë, kanë marrë fund. Në vend që të drejtojë për në BE një Turqi funksionuese në politikë, ekonomi e kulturë dhe të orientuar nga vlerat bashkëkohore, ai e ka humbur në mënyrë të pakthyeshme kredibilitetin ndaj personit të tij. Në vend që të konsolidojë kursin e dikurshëm të pajtimit me kurdët, ai ka vendosur tani për konfrontimin direkt. Qëkurse faktikisht ai u bë shkas për anulimin e zgjedhjeve parlamentare më 7 qershor 2015 gjatë sulmeve terroriste në Turqi kanë gjetur vdekjen rreth 1.500 vetë e qindra të tjerë janë plagosur. Që nuk po duket të ketë një fund të vrasjeve, këtë e tregon akti i fundit i dhunës në Bosfor. Nëse e vlerëson realisht situatën sivjet mund të priten edhe shumë sulme të tjera terroriste. Pasojat për ekonominë, për stabilitetin e monedhës kombëtare Lira dhe për turizmin janë qysh tani të ndjeshme.
Sfida Siria
Një kthesë për Erdoganin nuk është më e mundur. Ai tani duhet të zhvillojë luftë deri në fund krah Rusisë kundër milicëve terroristë të “IS”. Kundër një organizate, frymën paraprirëse të së cilës Erdogani dhe pasuesit e tij e trajtonin me kujdes dhe tani nuk po munden ta shmangin më. Ushtria turke lufton njëkohësisht edhe kundër kurdëve të Sirisë, për t’i penguar ata që të shtrihen në territoret fqinje përgjatë kufirit turk. Brenda vendit vazhdon lufta kundër lëvizjes së klasifikuar si terroriste (FETÖ) të bashkëluftëtarit të tij të dikurshëm Fethullah Gülen. Më shumë se 100.000 nëpunës shteti janë pushuar nga puna ose janë shkarkuar nga detyra, mbi 40.000 vetë janë arrestuar, sepse ata gjoja janë ose kanë qenë anëtarë të „FETÖ”. Por deri tani nuk ka dëshmi bindëse për këtë.
Nëse Erdogani do të rifitojë besimin brenda dhe jashtë vendit, ai duhet t’i thërrasë arsyes. Në këtë kontekst ai duhet p.sh. që pas sulmit terrorist natën e vitit të ri të mos mjaftohet vetëm me një deklaratë me shkrim, por të angazhohet edhe personalisht lidhur me hetimet për dorasin apo dorasit. Po ashtu ai duhet menjëherë jo vetëm të distancohet prej kërcënimit ndaj atyre, që preferojnë një stil tjetër jetese, por edhe duhet që drejtësinë e policinë, që janë nën kompetencat e tij, t’i verë në lëvizje në mënyrë që të ndalohet me efikasitet kërcënimi publik i njerëzve dhe institucioneve. Po ashtu ai nuk duhet që në çdo rast të akuzojë publikisht BE-në e në radhë të parë Gjermaninë, se po i mbështesin e sigurojnë strehë terroristëve dhe organizatave të tyre.
Sundimi i arbitraritetit
Në Gjermani shteti ligjor do të thotë, që drejtësia dhe organet e sigurisë janë të detyruara, t’u provojnë me fakte të qendrueshme personave të akuzuar fajin, përpara se t’i dënojnë. Ndërsa në Turqi ende vlen, që vetëm mendimi në kundërshtim me kreun e shtetit të shërbejë si bazë për arrestin dhe mbajtjen në arrest hetimor. Për të rifituar lirinë, individi duhet ta dëshmojë vet fajin e tij. Ndaj ndodhen në burg mbi 170 gazetarë, shkrimtarë e studiues, të cilëve u duhet që në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të përballojnë hetuesinë deri në pesë ditë përpara se t’u lejohet të kontaktojnë një avokat. Kështu Turqia nuk mund t’u bëjë ballë sfidave të shekullit të 21-të./DW