Erdhi koha për të menduar për dhuratat dhe për ti paketuar ato
Kënaqësia e të marrit një dhuratë sado të vogël është e papërshkrueshme. Kjo tregon se dikush kujtohet për ty, dhe nuk ka gjë më të rëndësishme. Po sikur t’u kushtojmë pak nga koha jonë e çmuar kartolinave? Sa bukur do të ishte t’i bënim vetë ato, t’i paketonim dhe dhuratat në mënyrë origjinale?
Dhuratave do t’u shtohej vlera dhe urimi përmes kartolinës do të ishte i paçmueshëm.
Kartolinat janë bërë prej kartoni me ngjyra, mbështjellëse letre për ëmbëlsira, ngjitëse në formë karamelesh dhe dekore me motive Krishtlindjesh. Gjithashtu, imitim flokësh bore sapuni, gurë me ngjyra dhe forma të ndryshme, kartëpeceta me ngjyra, fjongo e shirita dekorues. Ju duhet ngjitës i dyanshëm dhe atak.
Për paketimet mund të përdorni lule të thata, gurë shumëngjyrësh, pupla. Edhe një gazetë e thjeshtë mund t’ju bëjë punë. Mjafton t’ju lindin disa ide dhe dhuratat do të duken të veçanta.