“Era zgjedhje”-Kurti i mbledh partnerët e koalicionit-zbulohen detaje

“Era zgjedhje”-Kurti i mbledh partnerët e koalicionit-zbulohen detaje

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar mbrëmë partnerët e koalicionit. Kurti u takua me Donika Gërvallen, Faton Pecin dhe Mimoza Kusari-Lilën nga Alternativa, shkruan Periskopi.

Në komunikatën e lëshuar nga ZKM thuhet se në takim u diskutua për zgjedhjet, duke theksuar se një proces i tillë është çështje e muajve.

 “Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e ZKM.

 

Njoftimi i plotë nga ZKM:

Mbrëmë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti pati një darkë pune me bashkëdrejtuesit e Partisë Guxo, njëherësh zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, si dhe Kryetaren e Alternativës dhe njëherësh Kryetaren e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila.

 Gjatë darkës u zhvillua një diskutim përmbajtësor mbi zhvillimet aktuale, arritjet dhe sfidat e përmbushjes së agjendës legjislative si dhe planet për të ardhmen, me fokus në agjendën legjislative në interes shtetëror dhe përtej vijave ndarëse politike.

 Në takim u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor.

 Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor.

 Në cilindo skenar, partnerët e koalicionit qeverisës, u shprehën të gatshëm dhe tërësisht të bindur se vlerat e kultivuara të demokracisë dhe progresi i deritanishëm i Qeverisë do të vazhdojë bashkë me përcaktimin tonë për shtet demokratik të zhvilluar, me sundim të rendit dhe ligjit dhe për integrim në strukturat veri atlantike.

Shpërndaje në: