Enver Hasani për mosparaqitjen e Kurtit në Prokurori: E shëmtuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur as këtë të hënë në Prokurorinë Speciale, ku ishte ftuar për të dëshmuar lidhur me çështjen e rezervave shtetërore.
Në lidhje me këto refuzime të Kurtit për të dëshmuar në Prokurorinë Speciale foli në një intervistë për Euronews Albania, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, zoti Enver Hasani.
Ai tha se refuzimi i Kurtit për të dëshmuar është i papranueshëm dhe promovon pabarazinë e qytetarëve para ligjit. Ai e cilësoi këtë veprim si huliganizëm politik, ndërsa tregoi dhe detajet se pse, sipas tij, Kurti refuzon të dëshmojë.
“Refuzimi i Kurtit për të shkuar në Prokurorinë e Posaçme është një gjë e shëmtuar dhe nënkupton shkelje të sundimit të ligjit, sepse dërgon një mesazh të gabuar te qytetarët e zakonshëm, duke promovuar pabarazinë e qytetarëve para ligjit, kundër postulatit që askush nuk është mbi ligjin. Në këtë bazë, ai momentalisht del mbi ligjin, pasi nuk e ka fituar betejën me shtetin, sepse askush nuk mund ta fitojë, kështu që as zoti Kurti nuk mund ta fitojë”, tha Hasani.
Sipas Hasanit, Kurti ka firmosur dhe vetë për rezervat shtetërore dhe kjo është arsyeja kryesore që ai nuk do të dëshmojë, pasi mund të përfundojë nën aktakuzë.
“Dëshmia është detyrim ligjor dhe kushtetues për çdo individ, përfshirë edhe kryeministrin. Arsyeja kryesore pse ai nuk shkon atje ka të bëjë me një fakt tjetër që ai e di: ka nënshkruar për rezervat. A e dinë se të gjitha ato vendime ekzistojnë dhe një pjesë e tyre janë publike, të kaluara me nënshkrimin e tij dhe me lejen e tij? Ai e di se pas kësaj dëshmie, edhe zonja Derona Mihali, që është në një eminencë gri këtu në Kosovë, mund të përfundojnë nën aktakuzë. Kjo është arsyeja reale pse zoti Kurti refuzon të japë dëshminë”, shtoi ai.
Gjithashtu, Hasani tha se Kurti nuk do t’i shpëtojë dot shtetit ligjor, sado ta zvarrisë mosparaqitjen dhe tha se, fillimisht, parashikohet një gjobë prej 250 euro dhe më pas marrja me forcë.
“Po të mos gaboj, dënimi fillestar është 250 euro dhe nëse ai vazhdon me refuzimin, gjykata urdhëron arrestimin dhe sjelljen me dhunë të zotit Kurti. Ky lloj huliganizmi institucional është i papranueshëm në këtë pjesë të botës ku jetojmë dhe që synon të formohet politikisht sipas standardeve më të larta të kushtetutës sonë dhe vendeve perëndimore. Ky është një veprim i papranueshëm dhe do të ketë pasojë për Kosovën dhe për zotin Kurti, sepse objektivisht ai nuk mund ta sfidojë pafund mosshkuarjen për të dëshmuar”, tha Hasani. /euronews.al/