Ëndrra e një Evrope të Bashkuar përfundoi

Ëndrra e një Evrope të Bashkuar përfundoi

Ëndrra e një Evrope të Bashkuar përfundoi. Ajo në fakt kishte vdekur që nga momenti kur BE u shndërrua në një institucion teknokraktik në shërbim të interesave të kapitalizmit. Kjo u pa më së miri në mënyrën se si ajo e terrorizoi Greqinë. Është më mirë të largohesh nga një union që i terrorizon anëtarët e vet në këtë formë sesa të qëndrosh në të i terrorizuar. BE u krijua nga një ideal iluminist por shumë shpejt u shndërrua në një realitet që e mohoi atë ideal; u shndërrua në një institucion për mbrojtjen e interesave të oligarkëve dhe kapitalistëve, kurse ato të punëtorëve nuk u trajtuan me të njëjtin intensitet dhe seriozitet, ndonëse në disa vende te Evropës Lindore të drejtat e punëtorëve u adresuan dhe përmirësuan. BE pra, nuk doli të ishte ëndërr e një Evrope të bashkuar, të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.

A është dështimi i kësaj ëndrre, i kësaj ideje, dështim i vetë idesë kozmopolite apo pengesë e përkohshme në realizimin e saj?

Është fakt që ëndrra u prish dhe ideja nuk u realizua por dështimi nuk ishte i idesë por i mosdëshirës për të luftuar për idenë bashkarisht. Heqja dorë kaq shpejt nga një projekt që do të kërkonte shumë më tepër kohë për realizimin e tij, tregoi që popujt ende nuk e kanë kuptuar fuqinë e kapitalizmit dhe se drejtimi që do të marrë BE, ishte jo i domosdoshëm por gjithsesi i pritshëm. Në një atmosferë të mungesës së një alternative të tretë ekonomike, ishte e qartë që BE do të shndërrohej në një institucion në shërbim të interesave kapitaliste.

Antagonizmi nuk ishte inherent në idenë e bashkimit por në atë të realizimit, apo më konkretisht të terrenit të realizimit. Nuk u tregua gjithsesi vullnet i mjaftueshëm për të luftuar mbi idenë e bashkimit dhe kjo mungesë vullneti vinte prej shteteve sovrane që e përbënin këtë union. Nuk mund ta fajësojmë këtë entitet abstrakt për mungesën e dëshirës së shteteve sovrane.

Shtetet sovrane, për arsye të njohura, asnjëherë nuk qenë të gatshme të hiqnin dorë nga sovraniteti i tyre. Antagonizmi qëndronte dhe manifestohej pikërisht në dëshirën për të qëndruar edhe sovran, edhe të bashkuar. Rezultoi që kjo dëshirë nuk ishte e realizueshme në mënyrën dhe formën e mbajtjes së sovranitetit shtetëror. Sovraniteti ose duhej të dobësoj ose të rimendohej. Sovraniteti shtetëror i shtetit-komb ishte pikërisht pengesa që e pamundësoi realizimin e idesë së BE-së. BE ishte një realitet i ri që kërkonte koncepte te reja, mënyra të reja të mendimit dhe veprimit. Anëtarësimi në të me koncepte dhe ide të shtetit-komb do të krijonte iluzionin e mundësisë së bashkimit por do ta pamundësonte këtë në praktikë. Me këtë ne e mbytëm edhe idene e bashkimit edhe potencialin e madh të saj emancipues.

Tani që Britania e Madhe votoi për të dalë nga ky bashkim, uroj të mos zgjohemi në ndonjë ankth fashist.

Shpërndaje në: