Elvis Naçi, “shkau” serb, dhe “vëllau” turk

Elvis Naçi, “shkau” serb, dhe “vëllau” turk

Nga Bledi Lumani

Elvis Naçi e ka braktisur rolin e imamit këtë të premte, për të na treguar një anë tjetër të tij, që nuk besoj se është e sinqertë dhe e vërtetë, atë të patriotit nacionalist.

Ka kohë në fakt, që ai nuk është më thjesht dhe vetëm një imam, por dje është përfshirë në një debat, që ngre disa pikëpyetje për atë që ai beson dhe përfaqëson, por dhe për veprimtarinë e tij.

Duke thënë se ai nuk pranon të marrë para nga asnjë serb, sepse ata kanë vrarë shqiptarët në Kosovë, imami Naçi i ka ekspozuar serbët si armiku që, pavarësisht çfarëdo gjesti apologjik që mund të bëjnë, nuk mund të falen.

Për të, çdo serb – edhe pse jo të gjithë serbët kanë vrarë e mund të kenë ndjenja armiqësore ndaj shqiptarëve, si fjala vjen ai serbi që i paska ofruar Elvisit 100 mijë euro për të ndihmuar shqiptarët, por ky nuk i ka pranuar- është armik.

Dhe assesi nuk bën të falen! Këtë e thotë një imam, një njeri i Zotit.

Po a nuk na thotë Zoti të falim e të mos nxisim urrejtje, qoftë edhe ndaj atyre që na kanë vrarë, a nuk na e thonë në kisha e xhamia pikërisht sivëllezërit dhe vetë Elvisi këtë gjë?

Kë Elvis të besojmë tani, atë të xhamisë, apo atë të televizionit?

Po mirë, paratë e serbit janë harram, se na kanë vrarë e nuk duhen marrë, po paratë e turkut a duhen marrë, Elvis?!

Se dhe ata na kanë vrarë e prerë, dhe jo pak, por për 500 vjet.

Pse serbit iu dashka thënë “shka”, e turkut “vëlla”, kur të dy veç gjak e mizerje kanë lënë pas!

Ah, po edhe xhamia, nga ku Elvisi na predikon për faljen, dashurinë, mirësinë.

Na predikon edhe se si kur dhurojmë e bëjmë bamirësi, e majta jonë të mos e dijë se çfarë jep e djathta, ndërsa vetë shfrytëzon në mënyrë të pamëshirshme ata të mjerë që ndihmon, duke bërë propagandë të pështirë fetare në TV, sa arrin deri aty dhe nxjerr fëmijë duke qarë e duke parë nga duart e tij, t’iu japë një copë bukë.

Dhe ky, si shpëtimtar i zbritur nga qielli, i pushton me krahët e tij të gjerë dhe me paratë që i derdh lumë.

Ashtu siç i derdhi për të blerë një spital privat për vetëm 300 mijë euro, kur aq kushton vetëm një pajisje skaneri.

Shumëkush mund të pyesë pse iu hodh tani në “grykë” serbit imami Elvis, në kulmin e debatit politik në Shqipëri e Kosovë, pas vizitës së Vuçiç në Tiranë, por kjo nuk është e vështirë për t’u kuptuar.

Ajo që mbetet për t’u kuptuar, është kur do të zhvishet përfundimisht Elvisi nga “çallma” e imamit dhe të dalë hapur si një alternativë politike.

Se edhe imam, edhe politikan sikur nuk shkon.

Është njëri që e bën këtë në Iranin e largët (Ayatollah Khomeini), por Shqipëria nuk është Iran.

Shpërndaje në: