Elshani: Shumë shpejt do të hapet për qarkullim ura e Ibrit në Mitrovicë
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se shumë shpejt do të hapet ura e Ibrit në Mitrovicë.
Elshani tha se janë duke diskutuar me eprorët se si mund të bëhet hapja e urës.
“Unë e konsideroj që është vetëm në pyetje koha se kur kjo urë do të hapët dhe si do të hapet. Një herë e patëm përmend që ka mundësi me u hap ura dhe me u mbushë me autoblinda në një farë vendi, por jemi duke e diskutu me eprorët tanë se si ka mundësi të bëhet kjo. Unë konsideroj se nuk ka më vend për brengosje për qytetarët e veriut të vendit. Forma se si do të hapet është pak më ndryshe, por unë konsideroj që shumë shpejt do ta kemi edhe urën e hapur”, ka deklaruar Elshani për Tëvë1.
Ndryshe, në muajin prill Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka marrë vendim për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.
Barrikadat e para në këtë urë janë vënë në vitin 2011 nga ana e serbëve lokalë.
Hapja e urës kryesore për trafik është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”.
Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës.