Elshani për bllokimin e pikave kufitare: Gati për çdo skenar, qytetarët të shmangin lëvizjet pas orës 18:00
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se situata në pikat kufitare të veriut nuk pritet të eskalojë, edhe pse për nesër është paralajmëruar bllokimi i tyre.
Ai ka këshilluar qytetarët që të shmangin frekuentimin e këtyre pikave pas orës 18:00 dhe ka theksuar se Policia e Kosovës ka përgatitur plane operacionale për çdo skenar të mundshëm.
“Po gjithmonë kur kemi informacion se diçka mund të ndodhë ne kemi planet tona operacionale mirëpo duke marr parasysh natyrën e situatës në veri nuk na zë asgjë në befasi. Kështu që konsiderojmë për çdo gjë do të kaloi në rregull në rast se kemi bllokada në pika kufitare serbe.
Ajo që duhet të kenë kujdes qytetarët është që ata mos i frekuentojnë mundësisht këto pika kufitare nga ora 18:00 ashtu siç është paralajmëruar.
Sipas informacioneve që i kemi se si do të zhvillohet por me siguri nuk do të jenë të gjitha pikat që ata i kanë përmend aty. Nuk ka gjasë për eskalim të situatës në Kosovë, nëse ndodhë diçka ne jemi këtu”, ka thënë Elshani për Telegrafin.
Elshani gjithashtu komentoi edhe lidhur me intervistimin e pesë të dyshuarve për mbylljen e ish-objekteve të komunave paralele, duke theksuar se kjo çështje është në duart e hetuesve dhe prokurorisë.
“Kjo është punë e hetuesve dhe e prokurorit në fjalë, mesa e di janë pesë ftesa të cilat i kemi shpërnda, katër i kemi gjet nëpër shtëpia, një jo. Kaq mund të them unë. Arsyeja pse ata intervistohen lidhet me rastin e komuna paralele që kemi mbyllur të premten e kaluar”, ka përfunduar Elshani.
Ndryshe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë.
Një kërkesë të tillë e ka bërë edhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ku u ka kërkuar mërgimtarëve që planifikojnë të udhëtojnë që t’i shmangin të gjitha pikëkalimet kufitare me Serbinë.