Elon Musk s’ka të ndalur – përmes një çipi synon hakimin e trurit në vitin 2019
“Neura Link”, kompani e krijuar nga shpikësi Elon Musk, ka premtuar se brenda vitit 2019 do të tentojë hakimin e trurit të njeriut.
Kjo kompani synon që të gjejë mënyra për lidhjen e trurit të njeriut me një pajisje kompjuterike, për të cilën ka kërkuar leje nga rregullatorët amerikanë që të fillojë me provat e saj te njerëzit.
Sistemi i vendosur në një pllakë të vogël tashmë është testuar te një majmun që ishte në gjendje të kontrollonte kompjuterin përmes trurit të tij.
Shefi i kompanisë, Elon Musk, në një konferencë për media, ka deklaruar se testet do të jenë të përqendruara te pacientët që kanë probleme në tru.
“Kjo pajisje ka qëllim të mirë e që është shërimi i sëmundjeve të ndryshme nervore dhe natyrisht të sigurojmë të ardhmen e njerëzimit si civilizim i lidhur me inteligjencën artificiale”, ka thënë Elon Musk, themelues i Neura Link, transmeton KTV.
Musk ka deklaruar se në trurin e njeriut duhet të vendoset një çip dhe operacioni do të kërkonte prerje të lehta të kokës.
“Prerja është vetëm dy milimetra që mund të zgjerohen deri në tetë milimetra, pastaj vendoset çipi që do të jetë pa tela. Faktikisht, është sikur lidh telefonin me Bluetooth, pastaj duhet të kujdesimi për përditësimin e çipit”, shtoi Musk.
Ky çip do të përbëhet nga 3 mijë elektroda që janë më të holla se fija e flokut dhe mund të monitorojnë aktivitetin e 1 mijë neuroneve.
Qëllimi i pajisjes është që të hulumtohen zona specifike të trurit dhe do të mund të analizonte regjistrimet e trurit përmes makinerisë së mësimit që do të përcaktonte se çfarë lloj stimulimi i duhet pacientit.
E i njëjti person, muaj më parë kishte deklaruar se inteligjenca artificiale do ta zhdukë racën njerëzore.
Musk dëshiron të punësojë qindra shkencëtarë në këtë kompani që deri më tani ka vetëm 100 të punësuar.
Shumë prej aventurave të Muskut kalojnë përtej kufijve të mundshëm. Kompania e tij Space X është duke hulumtuar misionet në Mars, derisa kompania tjetër “Boring” është duke tentuar të ndërtojë një tunel nën qytetin e Los Angelesit dhe të krijojë forma të reja të transportit.