Elizabeth Gowing promovon librin ‘Fija e argjendit’ në Ambasadën e Kosovës në Londër
Në mjediset e ambasadës, mes artistëve e dashamirëve të librit, autorja angleze ndau përvojën e saj në kërkim të gjurmëve të filigranistëve shqiptarë dhe ballkanas, shkruan KultPlus.
Shkrimtarja e mirënjohur angleze Elizabeth Gowing prezantoi mbrëmë në Ambasadën e Kosovës në Londër librin e saj “The Silver Thread, a journey through Balkan craftsmanship” (Fija e argjendtë, një rrugëtim në zejtarinë ballkanike).
Në mjediset e ambasadës, mes artistëve e dashamirëve të librit, autorja ndau përvojën e saj në kërkim të gjurmëve të filigranistëve shqiptarë dhe ballkanas, shkruan KultPlus.
Ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci, ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook disa fotografi nga këto momente, ku tutje ai është shprehur se ky libër i mrekullueshëm i autores dhe humanistes, Elizabeth Gowing, i kushtohet artizanatit të njohur të filigranit në Kosovë, sidomos në qytetin e bukur të Prizrenit, dhe për një gjë të tillë ai shprehet falënderues ndaj autores amerikane.
“Mbrëmë ishim nikoqir të promovimit të një libri tjetër të mrekullueshëm të autores dhe humanistes, Elizabeth Gowing, të titulluar “Fija e argjendit” (The Silver Thread). Libri i kushtohet artizanatit të njohur të filigranit në Kosovë, sidomos në qytetin e bukur të Prizrenit, përmes një rrëfimi personal të Elizabeth gjatë qëndrimit të saj në Kosovë. Elizabeth shkruan me shumë dashuri për këtë mjeshtëri të rrallë, duke ia ofruar lexuesve britanikë, por edhe atyre ndërkombëtarë, një thesar të vërtetë për historikun e filigranit, por edhe për stolitë e veçanta të shumë kërkuara në botë. Ajo, përmes librit, na bën edhe një shërbim tjetër si popull dhe si vend, duke e promovuar filigranin e Kosovës, për çka i jemi mirënjohës pafundësisht. Libri “The Silver Thread”, që është dhurata më e mirë që mund t’i bëni vetes ose miqve tuaj, sidomos atyre të huaj”, ka shkruar Graiçevci.
Përveç se është tashmë një autore e mirënjohur, Elizabeth është edhe një humaniste e vërtetë, duke ndihmuar komunitetet më në nevojë në Kosovë, përmes organizatës Theideaspartner Ship (TIP). Për humanizmin e saj në Kosovë, Elizabeth është dekoruar nga Presidentja e Kosovës dhe Kryeministrja Britanike. / KultPlus.com