Elezi: Mbi 84 mijë vota nga diaspora, në ambasada e me postë
![Elezi: Mbi 84 mijë vota nga diaspora, në ambasada e me postë](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2021/10/elezi-3-1.jpg)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se 80.1 për qind e të regjistruarve në diasporë kanë votuar për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Me këtë rast, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Klankosova.tv se në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15 mijë e 352 persona, ndërsa me postë 68 mijë e 712 persona.
Elezi tha se kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit të votave që janë pranuar me postë.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi, më 8 shkurt 2025, është 15,352 nga 20,324. Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, votimin përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime. Në përgjithësi, nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe nga pakot e pranuara, përqindja e pjesëmarrjes në votimin jashtë Kosovës është 80.10% (kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit). Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për votimin jashtë Kosovës ishte 104,924 votues”, deklaroi Elezi.