Elezi: 2,700 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, më së shumti përmes postës
Që nga 29 gushti kur KQZ hapi periudhën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, 2,700 persona kanë aplikuar për t’u regjistruar për të votuar qoftë fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike apo përmes postës.
Nga ky numër i kërkesave, 2,442 janë aprovuar, ndërkaq vetëm 258 të tjera janë refuzuar.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri paraditën e datës 13 shtator 2024, janë pranuar 2,700 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 2,442, ndërsa 258 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, tha Elezi.
Gjithashtu, Elezi ka treguar se cila është forma më e kërkuar për të votuar e shtetasve të Kosovës.
“Nga 2,442 aplikime të aprovuara, 1,004 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 226 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 1,212 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, njoftoi ai.
KQZ ka filluar periudhën e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Aplikimi për regjistrim mund të bëhet përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-në.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në momentin e regjistrimit, votuesi mund të përcaktohet individualisht për mënyrën e votimit:
1. Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës;
2. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë;
3. duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës.
Në njërën nga mbledhjet e kaluara, KQZ ka miratuar listën e Qendrave të Votimit në 19 ambasada dhe 16 Konsullata të Republikës së Kosovës që janë të vendosura në 22 shtete të ndryshme. Gjithashtu, KQZ ka miratuar numrin e vendvotimeve, gjithsej 47 vendvotime, si dhe ka caktuar numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, nga 1,000 për çdo vendvotim./EO