Elektorati kosovar

Elektorati kosovar

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, të cilat u cilësuan si të mirëorganizuara dhe përgjithësisht të rregullta, ndodhën befasi të shumta. Shumë komuna i ndërruan kryetarët, i ndërruan partitë që qeverisnin me to, dhe lanë përshtypjen se elektorati kosovar kishte ndryshuar. Nuk ishte pra, aq i përcaktuar e fisnor sa mendohej më parë. Shembull, Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes e fitoi Prishtinën; Mimoza Kusari Lila e fitoi Gjakovën; Agim Bahtiri e fitoi Mitrovicën; Ferizaji, Gjilani e Lipjani, të cilat më parë ishin fituar nga PDK-ja, u morën nga kandidatët e LDK-së. Këto ndër ndryshme tjera më të vogla që e përforcuan përshtypjen e re në fjalë. Nga perspektiva e këtyre zgjedhjeve, në vitin 2014 me të drejtë pritej që PDK-ja të ndëshkohej, dhe që Vetëvendosje si parti opozitare të paktën do të shënonte rritje të konsiderueshme. Kishte vend dhe arsye pritja për befasi të reja në zgjedhjet që po vinin.

Por rezultatet e qershorit të 2014-ës ishin të kundërta me këto pritje. Mosvet dëshpëruese. Ato nuk e prodhuan befasinë ‘e pritur’. Ironikisht, ishin befasuese për shkak se nuk ofruan befasi. PDK-ja fitoi goxha bindshëm, edhe pse kishte shkaktuar shumë skandale, dhe kishte qeverisur tmerrësisht dobët. Vetëvendosje ndërkohë, i fitoi vetëm 13 përqind. Kësisoj, u shkërmoq përshtypja se ky elektorat kishte ndryshuar e mund të ndryshonte.

Sivjet, Kosova i organizoi dy palë zgjedhje: nacionale dhe lokale. Në zgjedhjet nacionale, Vetëvendosje e dyfishoi votën e saj, dhe u bë partia më e madhe në vend. PDK-ja ra në vendin e tretë. Në zgjedhjet lokale, marrë parasysh ndryshimin ligjërimor e administrativ, ndryshimin në probleme e qëllime për të cilat votohet, u arrit mirëmbajtja e kësaj përshtypjeje. Pra, megjithatë, elektorati kosovar mendon para se të zgjedhë. I sillet kah mendja ndonjë imazh, ose ide, ose figurë. Dhe voton.

Pra, shpëtuam! Elektorati kosovar nuk do të bëj zgjedhje të gabuara më. Por, çështja është se nuk ka zgjedhje të gabuara e të drejta, të vendosura njëherë e mirë. Dhe këtu qëndron problemi i zgjedhjeve të katër viteve të fundit. Pra, nuk shpëtuam! Nuk shpëtuam sepse rreziku i zgjedhjeve të këtij elektorati që lëvizë, por lëvizë çuditshëm herë para e herë prapa, është evident. Ka diçka elementare që mungon në zgjedhjet e qytetarëve. Dhe ky është artikulimi i votës. Kjo nënkupton një proces të bashkëlidhur me mirëvendosjen e një komunikimi të hapur me partitë politike, me bindjet politike dhe vlerat, me kërkesat e modalitetet, dhe sidomos me racionalizimin e pritshmërive. Kërkesa “duam më mirë” është tepër e rrezikshme për zgjedhjet që bëjmë, madje më e rrezikshme se ndonjë vjedhje ‘industriale’ votash në ndonjë qytet të Kosovës.

Pra, a ka ndryshuar apo nuk ka ndryshuar elektorati kosovar? Fakti që e ka votuar Vetëvendosjen në kohën sa kjo po bënte ndryshime në diskurs e në program, dhe fakti që e ka ndëshkuar PDK-në pas gjithë asaj periudhe të një qeverisjeje të mangët, jokreative e prandaj korruptive – është kallëzues i një ndryshimi. Por të mos harrojmë rikthimet e befta në ‘mosndryshim’. Zgjedhjet nacionale të 2014-ës, dhe pjesërisht zgjedhjet e këtoditshme lokale, tregojnë se ky elektorat që lë përshtypjen e ndryshimit, menjëherë bën një hap prapa. Mund të thuhet që ndryshimi është i sipërfaqshëm, për pasojë të mungesës së qartësisë në lidhje me atë që kërkohet dhe pritet. Për pasojë të një lidhjeje të çalë me politikën dhe zgjedhjet. Mos të harrojmë, zgjedhjet janë një skematizim i caktuar i zgjedhjeve të përditshme që bëjmë. Paraprakisht, tjetërkush i vendos kandidatët. Dhe elektoratit i duhet të zgjedhë mes tyre.

Kjo që po e them, vërehet kollaj në angazhimin e aktivistëve të Vetëvendosjes, ose disponimit të votuesve të fundit të saj. Shumica dërrmuese e tyre janë të rreshtuar, jo për diçka të qartë e konkrete, por kundër diçkaje të qartë e konkrete. Dhe kjo është poashtu e rrezikshme. Sepse, në rast të një qeverisjeje të mundshme nga Vetëvendosje në të ardhmen, duke mos i kuptuar e racionalizuar pritjet që ka, ky elektorat mund të ndëshkojë sërish. Njësoj ndodhi në Prishtinë, në vitin 2013. Më shumë se për Shpendin, vota ishte kundër Isë Mustafës dhe LDK-së. Njësoj mund të ndodhë edhe tash, në balotazh, si rrjedhojë e një moskuptimi e amullie të asaj që njerëzit kërkojnë, dhe të modaliteteve të mundshme për realizimin e kërkesave.

Padyshim, mendësia fisnore dalëngadalë po dobësohet. Elektorati nuk është i ngulur në zgjedhjet e tij. Njerëzit nuk përtojnë që t’i ndërrojnë partitë dhe politikanët që zgjedhin. Dhe kjo, ofron mundësi që politikanët të jenë më të përgjegjshëm, më të lidhur me qytetarët dhe problemet e tyre, dhe poashtu me bindjet ideologjike.

Ky tip i kulturës politike i bazuar në kundërshtinë jokritike, përbën një rrezik të madh për stagnim të mëtejmë. Ky tip kulture prodhon ligjërime joprogresive dhe politikanë krejtësisht të paaftë. Gjithashtu, kësisoj e mbërthejmë debatin politik brenda një kornize të panevojshme e të dëmshme religjioze: i korruptuar ose i ndershëm. Çështja sot e tutje, nuk është të jesh i drejtë e i ndershëm, por i aftë e kreativ.

Shpërndaje në: