Eksportonin mandarina me pesticide të ndaluara, arrestohen 3 persona në Berat

Prokuroria e Beratit ka ndaluar tre persona të akuzuar për një sërë veprash penale në lidhje me sigurinë ushqimore dhe shpërdorimin e detyrës.
Pas hetimeve disa mujore të kryera në kuadër të Procedimit Penal nr. 768 të vitit 2024, të regjistruar për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, janë ndaluar shtetasit Arben Aqif Dyli,, Elton Hekuran Tafa dhe Elson Petrit Tahiraj.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Elton Tafa, me profesion fermer, ka shitur te Arben Dyli, i cili është administrator i një pike grumbullimi, një sasi prej rreth 10 tonësh mandarina, të cilat më pas janë eksportuar drejt Kroacisë.
Analizat e kryera nga autoritetet kroate kanë treguar se mandarinat përmbanin nivele të larta të pesticidit “Fosmet”, një substancë e ndaluar për përdorim dhe e dëmshme për shëndetin. Si rezultat, ngarkesa është kthyer në Shqipëri, ku dyshohet se Arben Dyli nuk e ka asgjësuar sipas procedurave ligjore, por e ka hedhur sërish në treg, raporton euronews.
Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se Elson Tahiraj, me detyrë inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme, përfshirë edhe subjektin e Arben Dylit.
Materialet i kaluan Prokurorisë prane Gjykates se shkalles pare te Juridiksionit te pergjithshem Berat per veprime te metejshme hetimore.