Eksplodimi në TC “Kosova A”, opozita dyshon në dorën e pushtetit
Në Termocentralin Kosova A sot ka ndodhur një avari. Korporata Elektor energjetike e Kosovës ka bërë me dije se ka ndodhur një lidhjeje e shkurtër në kabllot e matjeve, e cila ka çuar në shkyçjen e termocentralit. Opozita ka shprehur dyshimet tjera për këtë rast.
Përfaqësuesit e partive opozitare kanë shprehur dyshime se avaria e sotme në KEK është e qëllimshme. Sipas tyre, tani pushtetit i duhen para për fushatë zgjedhore.
I pari që ka reaguar ndaj këtij rasti ka qenë deputet i PDK-së, Ferat Shala.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai e ka publikuar një video ku shihet zjarri, duke shprehur dyshimet e tij.
Sipas tij, kjo avari i shkon për shtati mafisë energjetike.
“Eksplodim i kazanit “bojleri i Albinit”, në Termocentralin Kosova A, Blloku A4. Kjo i shkon për shtati mafisë energjetike, sepse tash na duhet import i energjisë!”, ka shkruar Shala.
I shqetësuar me incidentin është shprehur edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.
Ai ka bërë me dije se këto avari rrezikojnë jetët e punëtoreve që punojnë në këtë kompani.
“Avaritë në termocentralet tona, të cilat kanë kaluar jetëgjatësinë e tyre të parashikuar, janë të papritura dhe të rrezikshme. Përveç ndërprerjes së prodhimit, këto avari rrezikojnë jetët e punëtorëve, siç u dëshmua me shpërthimin e sotëm në Termocentralin Kosova A. Kujtojmë që Termocentrali Kosova A është dashur të mbyllet që nga viti 2017, duke e bërë këtë një shkelje të vazhdueshme të rregullave të cilësisë së ajrit, e cila po dëmton shëndetin e qytetarëve tanë çdo ditë. Çdo vonesë në investime po na sjell pasoja të rënda, duke na lënë të varur nga importet dhe duke rrezikuar stabilitetin energjetik të vendit”, ka shkruar Azemi.
Sipas tij, gjatë Qeverisë Kurti nuk është ndërtuar asnjë kapacitet për shtimin e energjisë.
“Për 4 vite të kësaj qeverie, nuk është ndërtuar asnjë kapacitet gjenerues i ri për energji, ndonëse me Strategjinë për Energji 2022-2031, parashihen investime. Kur po afrohemi drejt muajve të dimrit dhe kërkesa për energji elektrike do të rritet dukshëm, prodhimi aktual në Kosovë nuk është i mjaftueshëm. Kjo na detyron të blejmë energji nga jashtë me çmime shumë të larta, duke rritur çmimin për qytetarët tanë”, ka vlerësuar ai.
Azemi ka treguar se partia e tij ka zgjidhje për këtë çështje.
“Në programin tonë “Rruga e Re”, ne kemi paraparë ndërtimin e një centrali me gaz prej 500 megavatësh, i cili do të kushtojë 500 milionë euro dhe do të bë zgjidhjen e duhur të furnizimit me energji, duke përmbushur nevojat tona. Kjo qeveri duhet të japë përgjegjësi për dështimet në energji. Është koha për veprime të shpejta dhe konkrete”, ka shkruar Azemi.
Kurse, Zafir Berisha, anëtari i Kryesisë së Nismës, në këtë avari e ka përmendur koordinatoren e komiteteve në VV-së, Dejona Mihali.
“Paska eksplodu “bojleri i Albinit”, në Termocentralin Kosova A-Blloku A4, por nuk po dihet me kordinim apo pa kordinim me shoqen Mihali! Kjo është pritën sepse edhe komunikimi i bër publik në mes shoqes Mihali me vartësit e saj ka lën me kuptu këtë gjë. Jemi duke shkuar drejtë dimrit, dhe mafia enargjetike me në krye Martin Berishajn alias GEN-Serbia e kanë sezonën e vjedhjes, disi duhet me ja financu fushatën Albinit”, ka shkruar Berisha.
KEK-u mohon dyshimet e opozitës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka mohuar pretendimet e opozitës.
Përmes një njoftimi për media, kjo kompani ka treguar se njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve.
Sipas njoftimit, kjo njësi është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin se nuk ka vend për shqetësim në lidhje me operimin dhe sigurinë në njësitë e TC Kosova A. Njësia A4 është ndalur për shkak të një lidhjeje të shkurtër në kabllot e matjeve, dhe është çkyçur nga puna në mënyrë të rregullt. Ekipet e mirëmbajtjes janë angazhuar që nga momenti i ndaljes së njësisë dhe po punojnë për sanimin e gjendjes, me qëllim që njësia të kthehet në operim sa më shpejt. Zjarri i raportuar në media ka ndodhur jashtë njësisë A4 dhe I njëjti është lokalizuar dhe fikur në kohë optimale nga zjarrfikësit”, është thënë në reagimin e KEK-ut.