Eksperti anglez: 100 mijë njerëz mund të jenë infektuar tashmë me virusin misterioz
Rreth 100 mijë njerëz mund të jenë infektuar me virusin misterioz korona-virus anë e mbanë botës, kanë alarmuar ekspertët.
Profesori Neil Ferguson, eksperti i shëndetit publik në Kolegjin Imperial, tha që “hamendja e tij më e mirë” është se rreth 100 mijë njerëz tashmë janë infektuar nga virusi edhe pse vetëm dy mijë raste janë të konfirmuara deri tash, shumica në qytetin e Wuhanit në Kinë ku edhe filloi të shpërndahej virusi.
“Herët a vonë do ta kemi të qartë rastin,” tha ai. “Ka një numër tepër të madh të turistëve kinezë anë e mbanë Evropës tash për tash. Përveç nëse Kina ia del ta kontrollojë këtë situatë, dhe jam shumë skeptik nëse kjo është e mundur, ne do të kemi raste edhe këtej.”
Edhe pse askush nuk ka testuar pozitivisht për koronavirus në Mbretërinë e Bashkuar, Laboristët i bënë thirrje qeverisë që të siguronte publikun që NHS-ja [sistemi i tyre shëndetësor] mund të përballonte shpërthimin e këtij virusi edhe pse po e ka të zorshme të përballojë sezonin e gripërave të dimrit, shkruan The Guardian, përkthen Periskopi.
Profesori Martin Dove, një akademik britanik, tha se askush nga qeveria britanike nuk e kishte kontaktuar atë edhe pse kishte qenë duke punuar në Wuhan.
Qeveria britanike është kritikuar për mënyrën e trajtimit edhe nga të tjerë.
Ndërkohë, në Kosovë pikërisht në prag të shpërthimit të Koronavirusit ka ardhur një qytetar kinez për të kërkuar azil – ndërkohë që për Periskopin kanë refuzuar të përgjigjen autoritetet kosovare se nga cila provincë është ky individ. /Periskopi