Ekspertët: Kanceri i shmangshëm nëse hiqni dorë nga këto vese
Pothuajse gjysma e vdekjeve nga kanceri në botë lidhen me faktorë të shmangshëm, si duhani, konsumimi i alkoolit, seksi i pambrojtur dhe obeziteti, shkruajnë shkencëtarët.
Ata analizuan të dhënat nga rreth 10 milionë njerëz që vdiqën nga 23 lloje kanceri në vitin 2019.
Faktorët e jashtëm ishin shkaku i sëmundjes në 4.45 milionë vdekje ose 44.4 për qind e tyre.
“Ky studim tregon se barra e kancerit mbetet një sfidë e rëndësishme e shëndetit publik që po rritet në përmasa në mbarë botën”, tha Christopher Murray nga Universiteti i Uashingtonit, një bashkautor i studimit.
Shkaktarët më të zakonshëm të kancerit janë pirja e duhanit (rreth 36 për qind e rasteve), konsumimi i alkoolit (rreth 7 për qind), sëmundjet seksualisht të transmetueshme (6.5 për qind) dhe obeziteti (rreth 4.2 për qind për burrat dhe 5.2 për qind për gratë).
Në vitin 2018, më shumë se 2 milionë raste të kancerit janë të lidhura me infeksione të tilla, si Helicobacter pylori, hepatiti dhe HPV.
Studimi tregoi gjithashtu se rreziku i vdekjes nga kanceri për shkak të faktorëve të jashtëm është më i lartë për burrat (në 50.6 për qind të rasteve) sesa për gratë (36.3 për qind).
“Mesazhi kryesor i këtij hulumtimi është i qartë: një numër i konsiderueshëm i kancereve, me shumë mundësi shumica e tyre kur bëhet fjalë për infeksione, mund të parandalohen”, shkruajnë shkencëtarët në Lancet.
Artikulli thekson se parandalimi i kancerit ka edhe një efekt financiar: investimi deri në 100 milionë dollarë në parandalim rezulton në kursime prej 100 miliardë dollarësh në kostot e trajtimit. /KP