Ekspertët: Kanabisi nuk shëron, shkakton sëmundje të pashërueshme
Përdorimi i llojeve të ndryshme të kanabisit, siç është skanku, rrit rrezikun e sëmundjes së rëndë mendore, thonë studiuesit.
Vlerësohet se një në dhjetë raste të reja të diagnostikimit të psikozës lidhet me përdorimin e kanabisit, sipas një studimi nga Kolegji Mbretëror i Londrës.
Përdorimi i përditshëm i çdo lloj kanabisi gjithashtu rrit rrezikun e shfaqjes së këtij çrregullimi mendor, sipas një studimi të publikuar në The Lancet Psychiatry.
Ekspertët thonë se përdoruesit e kanabisit duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun e mundshëm shëndetësor, megjithëse studimi nuk duhet të kuptohet si provë përfundimtare që përdorimi i kanabisit është i dëmshëm.
“Nëse vendosni të përdorni kanabis të fortë, mbani në mend se ekziston rreziku”, tha studiuesja kryesore dhe psikiatria Marta di Forti.
Dr. Adrian James nga Kolegji Mbretëror thotë se rezultatet e studimit duhet të kuptohen seriozisht.
Njerëzit që vuajnë nga psikoza humbasin kontaktin me realitetin, mund të ngatërrohen dhe të dëgjojnë zëra ose të shohin gjëra që në të vërtetë nuk ekzistojnë. Psikoza është një sëmundje mjekësore dhe ndryshon nga simptomat që njerëzit kanë kur ata janë duke u droguar.
Ka mosmarrëveshje në lidhje me shkallën në të cilën kanabisi mund të përkeqësojë ose të shkaktojë probleme në njerëzit që vuajnë nga sëmundjet mendore.
Shumë vende kanë legalizuar përdorimin e kanabisit. Mjekët janë të shqetësuar për rritjen e përdorimit të kanabisit të fuqisë së lartë, që ka një nivel më të lartë THC.
Një kanabis në formën e skankut me përmbajtje 14-për qind të THC-së përbën 94 për qind të drogës që shitet rrugëve të Londrës, thonë ekspertët.
Studimi u zhvillua në 11 qytete të Bashkimit Evropian dhe në një rajon në Brazil. Studimi përfshiu 901 persona që përjetuan të paktën një episod psikoze dhe 1,237 njerëz që nuk kishin sulme të ngjashme.