Ndodh edhe kjo: Ekspertët e KEK-ut e riparuan gabimisht Bllokun B2, rreth gjysmë milioni euro humbje në ditë
Kapacitetet aktuale të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë nuk përmbushin nevojën e kërkesës për energji elektrike në baza tarifore. Andaj, për t’u përmbushur kërkesa e konsumit me energji elektrike paraqitet nevoja për eksport gjatë tarifës së ulët (në mesnatë) dhe import të madh të energjisë elektrike sidomos gjatë tarifës së lartë, në netët e ftohta të dimrit, shkruan Periskopi.
Për shkak të rritjes së madhe të çmimit të rrymës në tregun evropian, shteti do të koncentrohet vetëm në kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike në Kosovë -KEK.
Por, ekspertët e kësaj korporate po veprojnë më amatorizëm përballë kërcënimit të vështirë të furnizimit në këtë vit. Kjo ngase Blloku B2 i Termocentralit Kosova B, nuk është duke prodhuar më kapacitet të plotë, të paktën siç ka prodhuar vitin e kaluar, apo para pak muajve. Pas kthimit nga renovimi vjetorë, ky Bllok, siç ka mësuar Periskopi, është duke prodhuar fiks 199 MWh, dhe jo 250 MW ashtu siç ka prodhuar pak javë më parë.
“Kanë ndodhur disa gabime gjatë renovimit, dhe nuk e dimë nëse do të ndalet përsëri edhe njëherë për t’i rritur kapacitetet prodhuese siç kanë qenë”, ka thënë për Periskopin një burim i afërt me KEK-un.
Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK nuk ka dashur të përgjigjet në interesimin e Periskopit lidhur më këtë çështje.
Nëse bëhet një krahasim më çmimet aktuale në treg, dhe humbjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë prej 50 MW në orë, del që Kosova po humbë rreth 500 mijë euro në ditë, ngase çmimi në berëz për 1 megavat është rreth 600 euro.
Sipas raporteve të Zyrës së Rregullatorit për Energji-ZRRE, fuqia e instaluar prodhuese në B2 është me një kapacitet pak mbi 300 MW, por ky prodhim është ulur që disa vite. Madje kur është lëshuar në punë në fillim të viteve 80- të, ky bllok ka prodhuar rreth 340 MW. Nga ana tjetër, krahasuar më TC Kosova A, blloqet e Kosova B, janë disa vite më të reja.
Marrë parasysh importin shumë të shtrenjtë të rrymës, këtë vit Kosovës i duhet prodhim maksimal i rrymës si asnjëherë më parë.
Në vitin e kaluar prodhimi maksimal i prodhimit nga të gjitha njësitë ka shkuar deri në 890 MW në ditë. Sipas deklaratave të vazhdueshëm të KEDS-it, kërkesa për energji elektrike në vitin e kaluar ka shkuar deri në 1300 MWh në ditë, çka ka bërë se deficiti është mbuluar nga importi.
Aktualisht nga termokapacitetet elektroenergjetike të Kosovës janë në prodhim vetëm dy njësitë e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2), me rreth 500 -520 MWH dhe rreth 160-170 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Sipas zyrtarëve të KEK-ut, mungesat e energjisë elektrike për nevojat e konsumit të Kosovës janë duke u plotësuar në tërësi nga kthimi i huas nga Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë (KESH). /Periskopi/