Ekskluzive, reagon Agim Ademi: Në Spanjë do të valëvitet flamuri i Kosovës, ndryshe nuk luajmë

Ekskluzive, reagon Agim Ademi: Në Spanjë do të valëvitet flamuri i Kosovës, ndryshe nuk luajmë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mohuar zërat se Kombëtarja e Kosovës në futboll do të paraqitet e ‘gjymtuar’ shtetërisht në Spanjë.

‘Dardanët’ luajnë në Sevilla të Spanjës ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror më 31 mars, derisa ‘Marca’ sot ka publikuar një artikull ku potencoi se Ministria e Punëve të Jashtme i ka dërguar propozime Federatës së Spanjës ku sugjerohet që himni i Kosovës të konsiderohet si muzikë, të paraqitet si ‘territori i Kosovës’ duke iu mohuar shtetësia, si dhe flamujt e dy Kombëtareve të mos qëndrojnë pran njëra-tjetrës.

Mirëpo, Ademi e ka bërë të qartë në një prononcim ekskluziv për Periskopin se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe as që po merret në konsideratë.

”Nuk ka asgjë konkrete rreth këtyre aludimeve. Ne kemi qenë në Spanjë për t’i kryer përgatitjet akomoduese para ndeshjes dhe nuk kemi marrë kurrëfarë njoftimi zyrtar në lidhje me këto aludime mediale,” është shprehur fillimisht Ademi.

”Flamuri i Kosovës do të valëvitet në Spanjë dhe do të intonohet himni, ndryshe nuk pranojmë të luajmë. Spanja është dënuar më herët se ka bo ndalesa të tillë për grupmoshat më të reja, kështu që për ne dhe UEFA-n është gjithçka e qartë. E përshëndesim Spanjën nga Republika e Kosovës.”

Shpërndaje në: