Ekskluzive: Politikani serb që u takua me kryeministrin Albin Kurti, filmohet duke konsumuar substanca narkotike (VIDEO)
Në fund të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte takuar Boban Bogdanoviqin, udhëheqës të Lëvizjes ‘Odgovor’. Për këtë takim, zyra e Kurtit nuk kishte treguar, por ishin mediat ato që publikuan fotografi nga takimi. Ndërkohë, në redaksinë e Periskopit, ka arritur një video, ku shihet z.Bogdanoviq duke konsumuar substanca narkotike.
Në kuadër të takimeve me serbët e Kosovës, kryeministri Albin Kurti pati takuar fundvitin e kaluar, edhe Boban Bogdanoviqin, një figurë kontraverse nga Serbia.
Në fotografinë e publikuar nga media kosovare, përveç Bogdanoviqin, në foto me Kurtin shihej edhe ministri për Kthim dhe Komunitete, z. Nenad Rashiq.
Në videon që ka arritur në adresë të Periskopit, shihet biznesmeni dhe politikani serb Bogdanoviq, duke konsumuar substanca narkotike.
Kush është Boban Bogdanoviq?
Bogdanoviq në të kaluarën ishte anëtar i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë që nga themelimi i saj dhe bashkëpunoi ngushtë me Sasha Jankoviqin.
Ai e përshkruan veten si biznesmen që zhvillon dhe shet kompani, duke mos e mohuar asnjëherë që është edhe person me ndikim në politikë.
Boban Bogdanoviq u bë i njohur për publikun kosovar në marsin e vitit të kaluar, pas një interviste të dhënë për portain KRIK, ku kishte pretenduar se është në dijeni se kush e kishte kryer vrasjen e politikanit serbët e Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Në atë intervistë, Bogdanoviq kishte thënë se informatat për personat e përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit, i kanë ardhur nga miku i tij i ngushtë, Aleksandar Gligorijeviq, i njohur me nofkën “Puke”, i dyshuar për aktivitete kriminale me ndikim nga grupi “Principi” i Veljko Belivukit, i cili pretendohet më pas se e ka paguar vrasësin e Ivanoviqit.
Bogdanoviq kishte thënë se ‘një shok, me të cilin ka qenë miq që nga fëmijëria, i ka shpjeguar se në vrasjen e Ivanoviqit kanë marrë pjesë dy grupe kriminale’. Këtu ka përmendur edhe të dyshuarin tjetër për aktivitete kriminale nga veriu i vendit, Zvonko Veselinoviq, i cili sipas pretendimeve të Bogdanoviq, ka urdhëruar vrasjen, ndërsa “Belivuk” ka siguruar vrasësin.
Boban Bogdanoviq ishte ndaluar më 14 dhjetor të vitit të kaluar nga autoritetet serbe në Merdare. Ndalimin e tij, e kishte përshkruar si ‘revanzhisëm politik’ pas takimit me Kurtin.
Bogdanoviq – siç citohet nga mediat kosovare, e ka pranuar edhe publikisht që në të kaluarën ka qenë i afërt me organizatën e dyshuar kriminale “Principi” të udhëhequr nga Veljko Belivuk.
Kush është grupi “Principi” i Veljko Belivuk?
Në Serbi ky grup është i njohur për aktivitete të shumta kriminale. Në shkurtin e vitit 2021, kreu i këtij grupi Veljkjo Belivuk ishte arrestuar nga policia gjatë një aksioni të madh policor, që përfshinte shumë qytete e lokacione, mes tyre edhe stadiumin e klubit “Partizani”, ku kishin të ndërtuar një bunker. Gjatë asaj kohe policia dhe BIA serbe siguruan prova të shumta, ndër të cilat janë ekzekutimi dhe planifikimi i vrasjeve, torturimi i viktimave.
Kryeministri Albin Kurti, në fushatën zgjedhore u shqua për frazën se me mandatin e si kryeministër ‘do të zhvillonte bisedime me serbët lokalë të Kosovës’. /Periskopi/