Ekskluzive: Contour Global e padit Kosovën në Arbitrazh për TC “Kosova e Re”

Ekskluzive: Contour Global e padit Kosovën në Arbitrazh për TC “Kosova e Re”

Kompania amerikane ‘Countour Global’ e cila ishte kontraktuar nga Qeveria Haradinaj për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, dhe e cila u tërhoq nga projekti pas ardhjes së qeverisë së Albin Kurtit ka paditur Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit.

20 milionë euro e kusur janë bërë mollë sherri mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”. Kjo e fundit u largua nga kontrata e nënshkruar pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit – e qeveria po e konsideron absurde këtë veprim të kësaj kompanie.

Burime të Periskopit mësojnë se Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka pranuar padinë nga Contour Global, por që ende nuk është bërë publike nga ta. Edhe pse Periskopi ka dërguar pyetje në adresë të tyre dhe ministrisë përkatëse, deri tani ata kanë zgjedhur të heshtin.

Ndërsa nga Ministria e Drejtësisë përkatësisht nga Avokatura Shtetërore kanë mohuar se në adresë të tyre ka ardhur padia nga kompania amerikane.

“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftomë se AVSH deri me tani nuk ka pranuar as një kërkesë apo padi me te cilën është paditur Republika e Kosoves ne Arbitrazh ndërkombëtar.”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë për Periskopin.

Në fund të vitit 2017 kur në pushtet ishte Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje me kompaninë amerikane Contour Global për ndërtimin e një termocentrali 450 megavatësh, e njohur si “Kosova e Re”.

Ndërkohë, pas ardhjes në pushtet të Qeverisë Kurti – i cili nuk e kishte përkrahur një marrëveshje të tillë me kompaninë amerikane – kompania në fjalë u tërhoq nga projekti.

‘Contour Global’ më 17 mars 2020 kishte thënë që do të tërhiqet nga ky projekt, me arsyetimin se si rezultat i situatës politike në Kosovë, projekti i tyre e ka të pamundur të arrijë afatet para datës së kërkuar të përfundimit të projektit.

Në maj të 2020-s, Contour Global i ishte drejtuar Qeverisë së Kosovës përmes një letre e ku i kërkon t’i paguajë obligimin prej mbi 20 milionë euro për shkak që Qeveria nuk ka kryer një transfer të mjeteve që e kishte obligim sipas kontratës ta kryente deri në ditën e dërgimit të letrës.

Kompania amerikane kishte dhënë afat që brenda 30 ditësh t’ia paguajë shumën prej 20 milionë e 53 mijë e 125 euro e 63 cent, por që kjo shumë nuk është paguar.

Më tej, Ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi pati thënë para disa ditëve se arsyet e tërheqjes së Contour Global janë krejtësisht banale dhe të pabazuara. Bile, ai u shpreh optimist se edhe në rast që e dërgojnë Kosovën në Arbitrazh nuk munden të fitojnë.

Ndryshe, Termocentrali ‘Kosova e Re’ ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në funksion në vitin 2023.

Ndërtimi i TC “Kosova e Re” do të kushtonte vendin 1.3 miliard euro.

Ndërkohë, Kosova vazhdon ta ketë përpara problemin e furnizimit me energji eleketrike/Periskopi/

 

Shpërndaje në: