Efekti i koronavirusit mbi liderët populistë
Të dy refuzuan të respektonin distancimin, u reshtuan kundër izolimit dhe e krahasuan covid-19 me një grip të thjeshtë. Të dy sulmuan shkencëtarët, morën pjesë në aktivitete të mëdha pa veshur maskë dhe lavdëruan përfitimet (ende pa u demonstruar) të hidroksiklorokinës. Të dy janë infektuar: kjo i ka ndodhur Presidentit Brazilian Jair Bolsonaro muaj më parë, dhe tani Presidentit të SHBA, Donald Trump. Mbetet pyetja nëse Trump, ashtu si Bolsonaro, do të dalë nga sëmundja i forcuar politikisht.
Edhe para se të shpërthente pandemia, shumë komentues kishin bërë krahasime midis dy presidentëve. Ata ndajnë një botëkuptim nacionalist, kanë të njëjtat prirje autoritare, paraqiten si udhëheqës të fortë dhe janë në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin.
Ngjashmëri që u konsoliduan me pandeminë. Për momentin ka ende shumë të panjohura për gjendjen shëndetësore të Trump, dhe të dy vendet janë natyrshëm shumë të ndryshëm. Por ngjashmëritë janë të habitshme. Përgjigja e Bolsonaros ndaj virusit, ashtu si ajo e Trumpit, është gjykuar si një dështim nga pothuajse të gjithë. Brazili është vendi i Amerikës Latine me më shumë infeksione (rreth 5 milion) dhe vendi i dytë në botë për numrin e vdekjeve (më shumë se 145 mijë), pas Shteteve të Bashkuara (211 mijë). Ashtu si ajo e Uashingtonit, qeveria e Brasílias kurrë nuk ka urdhëruar një izolim mbarëkombëtar. Për më tepër, Bolsonaro minimizoi rreziqet e sëmundjes edhe pasi më shumë se njëzet bashkëpunëtorë të tij rezultuan pozitivë (ndër të tjera pas një vizite në vendpushimin e Trumpit në Florida).
Në verë, kur zbuloi se ishte i sëmurë, Bolsonaro doli nga pallati presidencial dhe iu drejtua gazetarëve që qëndronin disa centimetra larg tij, duke pretenduar se kishte simptoma të lehta falë hidroksiklorokinës. Pastaj hoqi maskën, buzëqeshi dhe tha: “Mund tA dallosh nga fytyra ime se jam mirë dhe jam i qetë”.
Në mars, kur nuk ishte infektuar ende, presidenti iu drejtua vendit dhe e quajti covid-19 “një grip”, duke argumentuar se në sajë të “së kaluarës së tij si atlet”, në rast infeksioni nuk kishte pse të shqetësohej. Por virusi e bëri të duket i prekshëm, dhe fillimisht popullariteti i tij ra. Bolsonaro vazhdoi të dalë publikishit gjatë sëmundjes, duke theksuar vazhdimisht se simptomat nuk ishin të forta, duke marrë pjesë në takimet me video konferencë dhe duke postuar mesazhe në rrjetet sociale.
Disa ditë para njoftimit të shërimit të tij, presidenti mori pjesë në një ceremoni jashtë rezidencës zyrtare. Kur mbërriti tamponi i parë negativ, ai njoftoi rezultatet e testit në Twitter, bashkë me një foto të një pakete me pilula hidroksiklorokine. Pastaj bëri një shëtitje me motor. “Presidenti u përpoq menjëherë të përfitonte nga situata, duke pretenduar se shërimi i tij tregonte që politikat e qeverisë mbi pandeminë ishin të drejta,” tha Michael Shifter, presidenti i qendrës së studimeve “American Dialogue”.
“Ai gjithashtu u përpoq të forconte imazhin e djalit të fortë “. Një aspekt themelor për një udhëheqës që admirohet për retorikën autoritare dhe atë anti-sistem.
Sipas sondazheve, popullariteti i Bolsonaros është në 40 përqind, nga 32 përqind që ishte në qershor. Shumica e brazilianëve nuk e konsiderojnë atë përgjegjës për vdekjet e shkaktuara nga Covid-i, dhe sondazhet e kryera përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, i japin atij një avantazh ndaj kundërshtarëve të mundshëm.
Mësimi që duhet nxjerrë
Për më tepër, Bolsonaro nuk ka ndalur kurrë së përsërituri se rimëkëmbja e ekonomisë duhet të ketë përparësi mbi kontrollin e virusit. Në fillim të korrikut ai shkroi në Twitter një mesazh identik me atë të botuar nga Trump, disa javë më parë: “Zgjidhja nuk mund të jetë më e keqe se problemi”. Në një farë mënyre, kjo strategji funksionoi. Krahasuar me vendet fqinje, Brazili përjetoi një tkurrje ekonomike më pak dramatike. Kjo gjithashtu sepse qeveria ka dhënë një kontribut për shtresat më të varfra të popullsisë. Ky veprim rriti popullaritetin e presidentit, të paktën përkohësisht.
Bolsonaro ndihmohet gjithashtu nga fakti që vendi është i ndarë politikisht dhe ka një urrejtje të përhapur kundër elitave, ashtu si në Shtetet e Bashkuara.
Thënë kjo, ka dallime midis dy presidentëve. Së pari, Bolsonaro nuk përballet me kundërshtime të vërteta politike, duke qenë se e majta braziliane është jashtëzakonisht e copëtuar (Lula, kundërshtari i tij kryesor, nuk do të jetë në gjendje të kandidojë për shkak të dy dënimeve për korrupsion). Përveç kësaj, Bolsonaro mori kohë për të rehabilituar imazhin e tij pas sëmundjes. Trumpi nuk e ka këtë kohë, duke qenë se ai është më pak se një muaj larg zgjedhjeve dhe sondazhet e vendosin prapa kundërshtarit të tij, Joe Biden.
Por parabola e Bolsonaros tregon se cila mund të jetë strategjia e Trumpit në javët e ardhshme. Anya Prusa, një analiste në Qendrën Braziliane të Studimeve “Wilson”, e pyetur se çfarë mësimi mund të nxjerrim përgjigjet: “Bolsonaro nuk është dëmtuar politikisht. Ishte i sulmuar në parlament dhe në gjykata. Tani popullariteti i tij është rritur dhe presidenca e tij është stabilizuar. Gjashtë muaj më parë u përfol se rrezikonte impeachment. Tani ata zëra kanë heshtur”. / The Atlantic – Bota.al