Editorial: Të ndalet ‘lufta civile’ në Vetëvendosje

Periskopi Editoriale

Shpend Ahmeti dha dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe kjo e ndezi sërish tërbimin e aktivistëve dhe përkrahësve të kësaj Lëvizjeje, të cilët e fyen rëndë Ahmetin ashtu siç kishin bërë edhe me të dorëhequrit e tjerë.

Pak-a-shumë dihet se një pjesë e të dorëhequrve duke mos qenë të afërt me asnjërën nga partitë e tjera politike në Kosovë, do të formojnë një parti të re – me profil të ngjashëm me Vetëvendosjen. Dhe ky profil përcakton edhe rreshtimin e tyre kundër kësaj qeverie aktuale, e cila atë që mësuam nga “Afera Pronto” e përdorë si parathënie metodologjike. Pra, mund të kemi një parti të re që i del kundër kësaj mënyre të papërgjegjshme të qeverisjes.

“Lufta ‘civile’” e deritashme i bën dëm luftës kundër klasës politike në pushtet dhe PDK-së si qendër gravitacionale e partive dhe njerëzve tjerë të lidhur me të. Dhe dëmtimi i kësaj lufte, është si një infuzion i madh për Kadri Veselin, Ramush Hardinajn, Hashim Thaçin  dhe njerëzit e tyre. Ata po binin – askush nuk po iu besonte më, por diskursi linçues e sharës ndërmjet vete, i bën më të fortë. Dhe shihni se çka po bëjnë tash: pa pikën e turpit, krejt ashiqare përmes Haradinajt, po e përforcojnë rrjetën e tyre të klientelizmit.

Vetëvendosje ia doli të merrte një rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhjet parlamentare të vitit që shkoi, dhe kjo më shumë se përkrahjen për Vetëvendosjen si parti me profil të caktuar ideologjik, duam a s’duam ta pranojmë, e dëfton masën e madhe të njerëzve të pakënaqur e të pashpresë – që presin më shumë nga shteti. Veç kësaj, kishte një numër shumë të madh njerëzish që nuk votuan fare, përsëri, por që mund të zgjedhin për ndryshim në të ardhmen.

Linçimet që nuk po ndalen, në një mënyrë kanë të bëjnë me njëfarë tërbimi të çiltër duke qenë se e gjithë kjo po ndodhë në kohën kur Vetëvendosje po hapëronte paevitueshëm drejt pushtetit. Por, ky tërbim i çiltër është i shpërndarë vetëm mes përkrahësve të ndryshëm që nuk janë të lidhur me Lëvizjen përmes interesash të ndryshme personale. Ama jo, kurrqysh jo, edhe mes aktivistëve dhe zyrtarëve të tjerë. Këta aktivistë e zyrtarë që po vjellin vrer ndaj të dorëhequrve kanë gjetur mundësinë që të faktorizohen politikisht, dhe fare natyrshëm po e shfrytëzojnë atë.

Vetëvendosje nuk duhet parë si qëllim më vete, por si një mjet drejt arritjes së qëllimeve të caktuara. Ta zëmë: uljes së pabarazive sociale, rritjes së mekanizmave të shtetit, luftimit të korrupsionit, faktorizimit të Kosovës ndërkombëtarisht, rritjes së cilësisë në arsim e të tjera. Nëse partia/lëvizja nuk instrumentalizohet në këtë mënyrë, atëherë cila është vlera e saj? Nëse ajo nuk i nënrendohet të mirës së përgjithshme dhe Republikës, atëherë shndërrohet në të njëjtën gjë si partitë e tjera politike, me në krye PDK-në.

Vetë Kurti tha se ishte kundër linçimeve e sharjeve. Ai tha që unë iu flas njerëzve të Lëvizjes përmes shembullit tim – dhe meqë ai nuk merret me sharje e linçime, kështu duhej të vepronin edhe aktivistët e tjerë. Ky lloj normativiteti mund të aplikohet në rastin e njerëzve të papushtet, por Kurti është hiç më pak se kreu i partisë. Natyrisht që krerët e partive e shteteve iu flasin njerëzve edhe përmes shembullit personal, por normativiteti zgjatohet më tej, duke qenë se kreu nuk do të duhej të kishte gjithëprezencë në çdo pozitë.

Sipas Kurtit do të ishte në kundërshtim me parimet e tij që t’iu thoshte njerëzve se çfarë të flisnin e çfarë të mos flisnin. Por ai e bën një gjë të tillë vazhdimisht, dhe kjo është e natyrshme duke qenë kryetar partie. Madje, në këtë rast rrethana e krijuar mund të prodhojë dëme serioze politike për vetë Lëvizjen e tij. Do të ishte qesharake sikur në një të ardhme të afërt, të krijohej ideja e natyrshme nisur nga këto sharje mes aktivistësh e përkrahësish, se Vetëvendosje ka ‘vija të kuqe’ me PDK-në, Listën Sërbe dhe me partinë eventuale të formuar nga të dorëhequrit. Sidomos duke e ditur që PDK-në e konsideron parti të ekstremit të djathtë [siç tha vetë Kurti, duke e interpretuar slloganin: familja, prona, shteti] dhe Listën Sërbe si të lidhur me Sërbinë [pozicion i pranuar hapur nga këta të fundit]. Por, partinë eventuale të të dorëhequrve nuk do të kishte asnjë arsye ta refuzonte, dhe kjo do ta bënte joserioze e madje qesharake në sytë e qytetarëve.

Kjo shfryerje inatesh duhet të ndalet sa më parë. Natyrisht, nëse nuk ka një përmbysje qëllimesh: pra, nëse ende qëllim është rrëzimi nga pushteti i PDK-së. Çdokush mund ta nuhas pakënaqësinë qytetare me qeveritë e deritashme, dhe do të ishte qasje e gabuar të minoheshin mundësitë për një bashkëpunim në të ardhmen mes partive me prapavijë dhe qëllime të ngjashme.

Vetëvendosje nuk mund ta zhbëjë atë që ndodhi, dhe nuk mund të shkatërrojë grupin/partinë eventuale të tyre. Dhe as këta të fundit, nuk mund ta shkatërrojnë Vetëvendosjen. Në një të ardhme, këto parti mund të përfundojnë në një koalicion qeverisës së bashku – dhe e gjithë kjo që po ndodhë, të dyja palët do të donin që të mos ndodhte. Veç kësaj 32%-shi i arritur në zgjedhjet parlamentare, do të mund të shtohej edhe më shumë – marrë parasysh sa e dobët është Qeveria Haradinaj dhe pakënaqësinë qytetare me të.

Po e përsërisim: natyrisht, nëse qëllimi për të përmbysur mendësinë aktuale politike nuk është përmbysur ende. Por nëse qëllimi është thjesht të përforcohet pozita në hierarkinë partiake, e secilit veç e veç, nga e gjithë kjo rrëmujë kaotike – kjo këshillë e Periskopit nuk vlen.

Kurti duhet të respektojë lirinë e shprehjes së secilit – por poashtu ai duhet që mesazhin e tij që rrjedh nga shembulli i tij ta zgjatojë e ta artikulojë me fjalë. Fundja, a nuk është pikërisht ky mos-përçim i idealeve dhe vlerave që e bëri të jetë kritik ndaj atyre që u larguan edhe para se të largoheshin? Kurti duhet të respektojë lirinë e shprehjes së aktivistëve të tij, por ai duhet të respektojë poashtu edhe lirinë e zgjedhjes [e njëjta gjë: shprehje edhe kjo, ose zgjedhje edhe shprehja] së ish-bashkëpuntorëve të deritashëm të tij.