Editorial: Pse pushteti nuk e do shoqërinë të arsimuar

Periskopi Editoriale

Po të notohej puna e MASHT-it përvitshëm, siç notohen nxënësit dhe studentët e institucioneve arsimore në Kosovë, do të merrte vazhdimisht notë jokaluese [1-sh]. Asgjë nuk është ndërmarrë. Asnjë diskutim serioz nuk është mbajtur. Dhe ndërsa moskuptimi është i thellë, përfitimi nga kjo ‘ngelje e përvitshme’ është i shumanshëm.

Megjithatë infrastruktura shkollore është përmirësuar në një masë. Poashtu, janë rritur rrogat e mësimdhënësve dhe profesorëve universitarë. Por kjo nuk e ka ngritur aspak cilësinë.

Periskopi para afër dy muajsh ka bërë një analizë të udhëzimeve administrative të MASHT-it, duke treguar se tendenca që shtrojnë ato nuk është cilësia në arsim por përforcimi i mëtejmë i klientelizmit. Ky është linku për ata që duan ta lexojnë: https://periskopi.com/analize-tendence-e-masht-jo-cilesia-ne-arsim-por-perforcimi-klientelizmit/

Padyshim, klientelizmi i instaluar nga partitë politike në pushtet, e ka të përvijuar një skemë të caktuar funksionimi. Ekziston një majë, nga e cila rrjedhojnë më pas pozicionet ku vendosen anëtarët e klientelës. Shkilet ashpër merita ose kompetenca, meqë vlerë kryesore është bindja dhe shërbimi ndaj pushtetit. Kjo majë përmban njerëz të paarsimuar, atribut i cili e ndikon formësimin e gjithë klientelës. Kësisoj përvidhet ky lloj atributi: të jesh i paarsimuar, mund të duket keq te qytetarët e rëndomtë, mediat, televizionet – por jo edhe te anëtarët e tjerë të klientelës. Kushdo që ka pasur rastin të njihet me ndonjë anëtar të kësaj klientele të organizuar nga partitë në pushtet, e vëren simpatinë dhe dashamirësinë që këta njerëz ndjejnë për ata me arsimim e edukim të çalë.

Logjika e njerëzve që i shërbejnë në një mënyrë a tjetrën kësaj klientele, nuk është as e përafërt me njerëzit e rëndsishëm të Facebook-ut ku në përgjithësi ‘i paarsimuari’ shihet si pjesëtar i kapjes së shtetit.

Kjo klientelë e dikton ashpër edhe ngeljen e përvitshme të Ministrisë në përmirësimin e cilësisë. Sa për të ilustruar, mund të themi që kjo është njëfarë aleance ‘ngelësish’ që për të pamundësuar nxënësit e tjerë të klasës që të mësojnë e të angazhohen – bëjnë zhurmë, rrëmujë, dhe e bëjnë gjithë klasën të jetë ngelëse.

E përkthyer vrazhdë në terrenin tonë politik, mund të thuhet: meqë Ramush Haradinaj, Kadri Veseli apo Hashim Thaçi janë të paarsimuar, dhe meqë janë në majë, pavetëdijshëm duan që ‘e paarsimuar’ të jetë edhe e gjithë shoqëria. Mbase, ndonjë prej tyre vërtet dëshiron që gjendja në arsim përnjëmend të përmirësohet – por dikush mund të pyes me të drejtë: pse nuk e kanë problematizuar asnjëherë çështjen?

Dhe padyshim, ky tip klientelizmi që ekziston në Kosovë varet jashtëzakonisht shumë nga gjendja e keqe në arsim. Një njeri i arsimuar, që i shtron kërkesa të larta vetes, që beson se me mundin e tij mund të arrijë diçka, dhe që e mbron dinjitetin – nuk bëhet pjesë e klientelës. As në majë, e as kurrkund. Kjo nuk është aq e thjeshtë, natyrisht. Në mungesë të një perspektive, edhe njerëzit e arsimuar thyhen dhe nënshtrohen. Por, nëse masa e njerëzve të arsimuar është aq e madhe, atëherë rrjeta e klientelizmit që funksionon përmes ‘paarsimimit’ do të rrezikonte shthurrjen.

E megjithatë kjo shkon më thellë se kaq. Klientelizmi i tillë është ndërtuar pikërisht nga rrethanat tona kulturore e arsimore. Është një organizim që e bazon veten te to, dhe vepron përmes tyre. Pra, e gjithë shoqëria jonë ka ngelur në vazhdimësi në këto dy dekada – pavarësisht mitit se ishte arsim-dashëse, e që nuk lejohej nga ‘pushtuesit’ të kishte shkollën e saj. Duke e pasur në duart e saj shkollën, thënë popullorçe me ironi, ajo e bëri ‘namin’.

Edhe më tej, familja ka një rol më të madh në edukimin dhe mbushjen me vlera të kosovarëve të rinj, se vetë shkolla. Ka një rezistencë të heshtur ndaj ‘mësimit gjithëditor’, gjë e cila do ta lidhte nxënësin kosovar më shumë me shkollën, se me shtëpinë e tij. Do ta bënte një krijesë më sociale, më të angazhuar për komunitetin, dhe do ta zbehte karakterin ende-familjarocentrist tij e të shoqërisë sonë. Është mjaft shqetësues fakti që një pjesë e madhe, ndoshta 80% e të rinjëve të moshës 18-32 vjeç jetojnë ende me prindërit e tyre. Megjithëse nuk ka ndonjë matje për këtë çështje.

Është shqetësues fakti që 2/3-at e nxënësve kosovarë nuk e kuptojnë atë që e lexojnë. Por, jo për ‘paaftësinë’ e tyre ose ‘paaftësinë’ e mësuesve ose edhe ‘paaftësinë’ e MASHT-it. Kjo është shqetësuese për kulturën tonë, e cila ende ‘shpurdhë’ në rezistencë ndaj ‘shkollës’ dhe e përjeton atë thjesht si një ‘mekanizëm depërtimi’ por jo si një ‘mekanizëm formues’.

“Shkolla nuk të bën njeri” – thotë një shprehje popullore. E zbërthyer kjo shprehje e dëfton qartë ngurtësimin eleatik që i bën konceptimit të njeriut, dhe lidhjen e tij me mekanizmat disiplinorë të familjes e shoqërisë. Ia parakupton pikërisht familjes dhe pjesëve joinstitucionale të shoqërisë ‘mbushjen me vlera’ dhe ‘edukimin’ që çon deri në “ndërtimin e ‘njeriut’”. Sipas kësaj optike shoqërore “njeriu” nëse nuk ekziston organikisht si i mirë apo i keq, ndërtohet nga familja apo shoqëria, por jo nga institucioni i shoqërisë për ta bërë atë punë: shkolla.

Sot është dita e mësuesit në vendet shqipfolëse. Por, mënyra sesi përjetohet mësuesi e shpërfaq njëfarë konservatorizmi pengues ndaj përparimit dhe dijes: mësuesi duhej të ishte ose një përçues vlerash kombëtare, pra patriot; ose një ndihmues depërtimi në botë, ku nxënësi merr një vend të mirë në skemën sociale nga ndihma e marrë prej atij mësuesi të mirë [dhe mësuesi i keq është ai të cilit nuk ia sheh hajrin në këtë aspekt]; por jo si një tëhuajsues i rrezikshëm, që iu kundërvihet vlerave dhe fton nxënësit që t’i shohin me mendje kritike madje edhe ato që iu mësohen në shtëpi e rrugë.

Çka nëse ngritja e cilësisë së arsimit e rrënon ‘njeriun’ e konservuar nga familjet e shqiptarëve të Kosovës, i cënon rëndë vlerat mbi të cilat ata besojnë, e vë në dyshim historinë, vuajtjet, e gjithçka që iu mësohet nga familja? Epo, kjo është pasojë e pashmangshme. Dhe ndër shenjat e para të rritjes eventuale të kësaj cilësie, nuk do të ishte rangimi në PISA [për të cilin një numër i madh intelektualësh kanë shprehur vërejtje serioze] por pikërisht kjo përplasje e madhe vlerash.