Editorial: Pse duhet përzënë Pacollin urgjentisht nga Qeveria?

Periskopi Editoriale

Sot, e mërkurë më 20 nëntor, u votua për anëtarësimin e Kosovës brenda organizatës ndërkombëtare të policisë kriminale, Interpol.

Dështuam sërish! Gjatë ditëve të fundit, e ndoshta edhe javëve e muajve, krerët e institucioneve bënë lobim të madh për një gjë të tillë. Shefi i diplomacisë tonë, Behgjet Pacolli deklaroi i bindur se Kosova, më në fund, do të ishte pjesë e Interpolit. Kjo mund të ishte diga ndaluese e turpërimeve të pandalshme diplomatike që i kanë ndodhur vendit tonë gjatë kohës sa ai ishte ministër i punëve të jashtme. Ja që, turpërimi u bë edhe më i madh me një dështim të madh.

Natyrisht, faj për një gjë të tillë, kanë edhe akterë të tjerë përtej diplomacisë. Ta zëmë këshilltarët që do të duhej të kishin argumente të forta profesionale. Amatorizmi i jep kuptim votimit kundër të shteteve që e kanë njohur Kosovën.

Madje faj në mënyrë direkte ka edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili për nga funksioni diplomatik qëndron mbi Pacollin – dhe i cili poashtu ndodhej/t në Dubai. Por, kësaj here faji i tij më i madh është i tërthortë: si e lejoi të bëhej shef diplomacie një njeri jokompetent si Pacolli?

Kosova ka dështuar të anëtarësohet edhe në UNESCO. E merrni me mend, në një organizatë që do të duhej edhe politikisht të ishte e motivuar të pranonte Kosovën, duke marrë parasysh nevojën për mbrojtje sidomos të monumenteve kulturore serbe.

Veç kësaj, prej ardhjes së Pacollit në krye, Kosova nuk është njohur nga asnjë vend tjetër. E kundërta, vendi kaloi në defanzivë duke u përpjekur që t’i mbrojë njohjet e arritura deri tash. Ministria e Jashtme serbe me në krye Daçiqin, ka njoftuar shumë herë se vende të ndryshme po e tërhiqnin njohjen – ndërkohë që, një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Mirëpo, Pacolli anti-diplomatik u bë edhe problematik për imazhin e vendit me gafet e tij të njëpasnjëshme. Mjafton të kujtojmë skandalet diplomatike me ministrat e jashtëm të Marokut dhe Tunizisë, kur ishte demantuar nga këta të fundit për takimet që ai kishte pasur me ta. Apo edhe, takimin disasekondësh me presidentin Donald Trump ku në stilin e një simpatizuesi shkon dhe i zgjat dorën.

Por, cili është halli i diplomatit Pacolli?

E vërteta është se atij nuk i bën aq shumë për diplomacinë tonë. Ministria e tij shërben si një oazë klientelizmi ku partitë politike dërgojnë/rehatojnë njerëzit nëpër shërbime diplomatike si ambasadorë e konsuj. Halli i Pacollit është të marrë pjesë në klientelizmin partiak, pra ta bëj më të rëndësishme brenda skemës klienteliste Aleancën Kosova e Re.

Para disa muajsh patëm përplasje të ashpra në ministrinë që e udhëhiqte Albena Reshitaj [aktualisht, këshilltare e kryeministrin Haradinaj] mes saj dhe Rrahim Pacollit. Fitoi ky i fundit!

Se Pacolli është larg zanatit të politikanit tregon fuqia që kanë brenda partisë së tij teket e këngëtarit Labinot Tahiri. Ky i fundit e kishte një mision absurd: ta bënte një ministër brenda qeverisë së madhe Haradinaj një ferizajas. Kjo teke iu plotësua, dhe një nga ministritë më të rëndësishme të vendit, ajo e Punëve të Brendshme, i është lënë në dorë njeriut që plotëson kriterin qesharak: është nga Ferizaji i Kosovës së Shqipërisë [folur me terme të këngëtarit-politikan].

Megjithëse AKR-ja e Pacollit udhëheq me katër ministri dhe në përgjithësi mban hise të madhe brenda Qeverisë Haradinaj, në Kuvendin e Kosovës është aktive vetëm përmes kushëririt të Behgjetit, Islam Pacollit. Dhe cili është aktiviteti i deputetit Pacolli në Kuvend? Bën gallatë përmes thënieve të urta popullore dhe përmes derseve patetike.

Qeveria e Kosovës do të duhej me urgjencë të kërkonte një partner tjetër koalicioni. Pazari që e kanë bërë partitë tjera të mazhorancës me AKR-në është tmerrësisht i paleverdisshëm dhe po i kushton përditë qytetarëve të vendit. Të gjitha partitë në koalicion kanë mangësi të mëdha organizative e ideologjike, por AKR-ja është në një nivel krejt tjetër: ajo është parti private e familjare e biznesmenit Pacolli. Dhe siç del e vërteta tash: të bësh pazar me Pacollin mund të digjesh.

Padyshim, Pacolli nuk është i vetmi fajtor për dështimet e njëpasnjëshme diplomatike, përfshirë edhe të sotmin në Interpol, por fajësia e tij duket qartë, është konkrete dhe meriton ndëshkim. Dikah duhet filluar!

Shërbyesit publik duhet njëherë e mirë të lidhen jo veç me privilegjet por edhe me përgjegjësitë që mbajnë! Nëse Kosova mbahet peng edhe nga parti e politikanë që s’mund ta kalojnë as pragun zgjedhor, atëherë duhet kontestuar seriozisht fuqinë e presidentit, kryeministrit dhe të partive të mëdha në Qeveri.

Shpërndaje në: