Editorial: Protesta e VV-së përfundoi, çka nesër?

Periskopi Editoriale

Sot u mbajt protesta e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje në kundërshtim të idesë së promovuar nga presidenti Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve. Parulla e kësaj proteste ishte “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, dhe në një farë mase, u krijua një moment daljeje nga romanticizmi e etnonacionalizmi ku është mbërthyer mendja e Albin Kurtit. U krijua momenti për të ofruar diçka të re, konkrete, për negociatat me Serbinë. U krijua momenti për të pranuar shtetin dhe simbolet e tij, për të pranuar internacionalizmin liberal si projekt në thelb të tij. Për ta nxjerrë nga margjinat, të domosdoshmin program ekonomik në të ardhmen e afërt, dreqi e marrtë. Njerëzit punojnë edhe për 130 euro në Kosovë, e të vetëshpallurit “majtistë” brohorasin parulla ksenofobe. Njerëzit kanë paga diskriminuese, s’kanë kontrata pune, s’kanë sigurim shëndetësor, dhe s’kanë zë – shkaku i këtij pushteti klientelist – e Lëvizja Vetëvendosje, ende të gjitha protestat e saj i ka me karakter nacionalist. E Albin Kurti, lideri i saj, në mënyre ksenofobe e lavdëron popullin shqiptar si ‘më fisnikun e më bujarin’.

Që nga themelet e saj, Vetëvendosje nuk ka qenë më shumë se një fraksion radikal i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK]. Partia e drejtuar nga Thaçi tradhtoi të majtën, anti-imperializmin, anti-kapitalizmin e nacionalizmin që rridhnin nga LPK-ja, ndërkohë që këto u morën dhe riartikuluan nga Lëvizja Vetëvendosje. PDK-së iu desh të hiqte dorë nga flamuri për të cilin luftuan, e të cilën e mori në dorë pikërisht Vetëvendosja. PDK-së iu desh të hiqte dorë nga synimi i UÇK-së për ‘bashkimin e trojeve shqiptare’, synim që e artikulon tashmë Vetëvendosja. Dhe, pikërisht Albin Kurti, lideri suprem i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte rezerva ndaj intervenimit të NATO-s në Kosovë – duke qenë në vijë me mendimtarë të majtë dhe i doli kundër procesit negociator të Vjenës, e në mënyrë të qartë i doli kundër edhe Pavarësisë së vitit 2008.

Thaçi është një politikan i korruptuar. Ai flet një gjë, e e bën një tjetër. Ai – ose partia apo aleatët e tij – ka/kanë uzurpuar shumicën e ndërmarrjeve publike përmes metodës që u zbulua nga përgjimet e Aferës Pronto. E kanë kapur, për aq sa e kanë kapur, edhe Gjyqësorin. Por, edhe Albin Kurti e ka kapur një sferë shumë të rëndësishme pushteti: protestën/kritikën ndaj tyre. Çdo protestë e partisë së tij ka qenë nacionaliste. Por kjo e fundit, e ekspozoi në mënyrën më të qartë kapjen që ai i ka bërë kritikës kundër pushtetit.

Në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje sërish u shpërfill flamuri i Republikës së Kosovës – megjithëse, ishte rezervuar një vend për të gjithë flamujt e shteteve që e kishin njohur Kosovën si shtet me këtë flamur e këta kufij. Po e mbronte shtetësinë e Kosovës, një parti që në thelbin e saj e në emërtimin e saj, e sulmon. Po e kundërshtonte korrigjimin e kufijve në baza etnike një parti që kërkon pikërisht korrigjim kufijsh në baza etnike, pra bashkim kombëtar.

Çka do të ndodh nesër? Asgjë. Thaçi mbetet po aq i fuqishëm sa sot, e sa dje. Sepse, protesta kundër tij ishte bërë nisur nga një thashetheme: Thaçi do të akuzohet nga Gjykata Speciale, dhe prandaj ai nën shantazhin e BE-së përmes kësaj Gjykate, po mësyn një marrëveshje me Serbinë që ta shpëtojë veten. Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por mbetet thashethem. Përmes kësaj, nuk mund të ndërtohet rregullësi ligjërimore – një element i domosdoshëm që një protestë të ketë forcë, e të mos jetë korruptuese.

I vetmi pozicion në rrethanat aktuale që do të konsistonte me pozicionin e mëhershëm për Vetëvendosjen, është ai që veçse e mori Lëvizja për Bashkim – ish partneri i tyre ideologjik: të mbështeste idenë e shkëmbimit të territoreve.

Jo një popull, por asnjë njeri nuk duhet t’i nënshtrohet një njeriu tjetër. Ata duhet të jenë të drejtë e konsistent. Duhet të kenë idealet dhe parimet e tyre. Por, e vërteta është se populli ka vendosur të mos jetë i drejtë: t’iu nënshtrohet mashtruesve si Thaçi, Haradinaj, Kurti e Veseli – që i ndërrojnë më shpesh fjalët se çorapet.

Cila është alternativa e Vetëvendosjes për negociatat me Serbinë? Ku çon rivlerësimi i procesit negociator të deritashëm? Ose, çka nëse edhe platforma e saj eventuale për negociata do të shpërfillej nga BE-ja?

E vërteta është se një pjesë e madhe njerëzish brenda partive opozitare kanë statuse shumë të mira sociale, dhe privilegje nga të cilat nuk e kanë ndërmend të heqin dorë.

Shpërndaje në: