Editorial | Mikullovci – aktori që po prishë aktrimin e Vetëvendosjes

Periskopi Editoriale

Në interpelancën e sotme ndaj kryeministrit Haradinaj, ndër shumë të tjerë, folën edhe Albin Kurti e Adem Mikullovci – deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Po e vëmë theksin te këta të dy, duke qenë se i fundit është aktor me profesion, e tjetri është politikan. Por, të dy, në vend se të merren me politikë [sepse edhe Mikullovci për këtë punë është zgjedhur], po bëjnë aktrim patetik – që i shkon në favor Qeverisë Haradinaj, klanit “Pronto” ende në pushtet, dhe gjithkujt tjetër që kërkon të mbajë gjendjen ekonomiko-sociale kështu siç është.

Albin Kurti, duke dashur ta bënte edhe më kreative dhe ‘therrëse’ kritikën e partisë së tij ndaj Qeverisë, tha që “pushteti nuk ka interes të njëmendtë që Kosova të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.” Pashë zotin? Ai harroi që raporte më të mira me zyrtarët e lartë të BE-së kanë politikanët në pushtet se partia e tij. Ai harroi poashtu që tash e një dekadë e ka margjinalizuar programin ekonomik në favor të programit nacionalist, ku kërkohet referendum e Bashkim Kombëtar, ku lëkundet statusi i Kosovës si shtet i pavarur, ku valëvitet flamuri kuq-e-zi. Harroi që Lëvizja e tij, në bashkëpunim me AAK-në dhe Nismën, e të cilat u dëshmuan se nuk janë asgjë më të mira se PDK-ja, hodhi gaz lotsjellës në Kuvend duke e pamundësuar ratifikimin e Demarkacionit – i cili ashtu-kështu u ratifikua – dhe duke marrë kritika të forta pikërisht nga përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, dhe zyrtarë tjerë të lartë të saj. E harroi edhe neokolonializmin si kritikë ndaj BE-së.

Nëse politikanët në pushtet, në bashkërendim me biznesmenë të ndryshëm, kanë bërë monopolizime në treg, e kanë kapur drejtësinë, i kanë punësuar militantët partiakë në institucione publike – me një fjalë, e kanë uzurpuar publiken në tërësi – atëherë Lëvizja Vetëvendosje e ka monopolizuar fjalën kundër pushtetit, e ka uzurpuar hapësirën për protestë e revoltë qytetare, pikërisht duke e aktruar me mjeshtëri një farë serioziteti që po zbehet ndjeshëm aktualisht.

Para disa ditësh dolën përgjimet e dy anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në stilin e personazheve të Aferës Pronto, po e bënin manipulimin e një konkursi publik. Duhet thënë se përmasat e dëmit që mund të përfigurojë imagjinata nga ky skandal mund të jenë shumë më të vogla se sa ato nga Afera Pronto, sepse përmasat e pushtetit institucional të Vetëvendosjes janë më të vogla – por sidoqoftë po bëjmë fjalë për një parti që ka përdorur një retorikë moralizuese religjioze, duke e ndërtuar një imazh tmerrësisht të pastër për veten.

Vetëvendosje nuk është e interesuar që të marrë pushtetin në Kosovë. As dje, as sot, e as nesër. Ajo është e interesuar të mbetet në opozitë, dhe të vazhdojë aktrimin e saj opozitar në pafundësi – duke i bërë ledhë të gjatë egos së liderit të saj, Albin Kurtit. Kjo parti duket shumë e interesuar që partitë të cilat ishin në pushtet, të vazhdojnë të mbajnë pushtetin – sidomos në rrethanat aktuale – vetëm që vetë të mos njollosen me asnjë skandal të mundshëm. Ky pushtet të cilin e gëzon kjo parti, duket se i konvenon shumë më shumë – edhe pse, qytetarët e vendit e kanë shprehur më shumë se në një palë zgjedhje nevojën për ndryshim.

Kur qytetarët e Kosovës ‘e blenë’ seriozitetin e opozitarizmit të Vetëvendosjes, e bënë këtë parti më të madhen në vend. Por, Vetëvendosje ka çarje në diskursin e saj, dhe po lejon të shformësohet ideologjikisht njësoj si partitë e tjera. Këtu duhet përmendur sulmet brutale ndaj të dorëhequrve nga kjo parti, pastaj, mbrojtjen e kanunit dhe legjitimimin e dhunës në familje nga deputeti më i vjetër i saj, dhe së fundi edhe manovrat diskurseve të Kurtit.

Vetëvendosje aktualisht e ka të aktruar qëndrimin e saj opozitar. Ajo nuk dëshiron të bashkëpunojë me Listën Serbe qoftë edhe sa për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj – e kurthuar kësisoj në retorikën e saj absurde nacionaliste. Ajo nuk kërkon zgjedhje të reja. Ajo nuk kërkon referendum. Ajo nuk beson në një ndryshim metodik, por njësoj si AAK-ja e Nisma, në dijen dhe mirësinë e liderit të saj – që do ta bënte ndryshimin si me shkop magjik.

Deputeti i kësaj partie, Adem Mikullovci, sot i kërkoi kryeministrit Haradinaj që të dorëzonte postin e kryeministrit, domethënë të dorëhiqej – si një akt moral. Më tepër se një qëndrim naiv, ky është një tjetër aktrim në vargun e gjatë të aktrimeve të deputetëve të saj. Por, për ironi, megjithëse aktor me profesion, Adem Mikullovci aktualisht është aktori më i dobët i partisë së Kurtit.

Ata që duan të bëhen aktorë të mirë, dhe që fshehurazi e pëlqejnë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, e kanë një adresë: Lëvizjen Vetëvendosje!