Editorial: Mbi shpërfilljen që vrau 18 punëtorë

Periskopi Editoriale

Një tjetër punëtor ndërtimtarie vdiq sot. Ai ishte katërdhjetë e pesë vjeçar. Po punonte në fasadimin e objektit shtatë katësh në rrugën “Ahmet Krasniqi”. Sipas kryeinspektorit të Punës, Basri Ibrahimit, kjo ishte vdekja e tetëmbëdhjetë në vendin e punës, brenda dhjetë muajve.

Leximi i paragrafit të parë mbase ua humbi interesin shumicës së njerëzve që iu turrën lajmit, apo që u futën gabim në të. Kujt i intereson vdekja e punëtorëve? Le të vdesin, punë e madhe. Ata lexojnë lajme për sportin. Për showbizin. Për Ramushin e Hashimin. Kadriun e Albinin.

Sidoqoftë, kur dihet se shumçka në vendin tonë manipulohet, mund të dyshohet se edhe kjo shifër është manipuluar. Por, edhe si e tillë është shqetësuese. Nuk po flasim këtu për një veprimtari tepër fitimprurëse, për të cilën ia vlen të rrezikosh jetën. Po flasim për një punë që thjesht të siguron mbijetesën. Asgjë më shumë. Po flasim për rrezikimin e jetës nga punëtorë që marrin paga tepër të vogla, që kur të dalin në pension nuk do të kenë para të ruajtura në Trustin pensional, për njerëz që nuk kanë kontrata pune e që prandaj detyrohen të punojnë edhe përtej orarit, për njerëz që nuk kanë sigurime shëndetësore në rast se lëndohen a vdesin. Me pak fjalë: po flasim për njerëz të shtypur nga sistemi dhe të shpërfillur nga ju.

Kontrata pune, sigurime shëndetësore, paga minimale e masatare, sektori privat. Krejt këto fjalë i ndjellin mërzi e bajatosje qytetarit kosovar, i cili mbetet i stërpreokupuar me argëtimin dhe provokimin e vetes me lajme sa më senzacionale. Një pozë nga Kim Kardashian apo Rita Ora, një goditje topi nga hajdutë të dënuar [për shmangie tatimi] si Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo, një deklaratë koti nga Hashim Thaçi apo Ramush Haradinaj, apo edhe një deklaratë e fortë nacionaliste nga Albin Kurti – i fusin këto fjalë në margjina, dhe i lënë këta njerëz në shtypje, duke jetuar e duke vdekur qençe.

Mund të kritikojmë mosfunksionimin e mekanizmave të shtetit, mosfunksionimin e inspektoratit të punës, numrin e paktë të tyre e shumçka tjetër. Por jo, kësaj here duam të kritikojmë llafet tuaja të përditshme me njëri-tjetrin. Çinteresin tuaj për të folur për kushtet e punës. Për skemën e prodhimit. Për lëngimin që të fitoni një vend pune e një vend social pameritueshëm. Për gjuhën e ngushtë të interpretimit të kësaj gjendjeje. Dhe në anën tjetër, për thashethemet për njëri-tjetrin. Për inferiorizimin e përditshëm që i bëni po këtyre punëtorëve, apo të njerëzve të papunë, apo të njerëzve që bëjnë punë të tjera që i konsideroni të përbuzshme. Për interesin tuaj për Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin, Albin Kurtin, Kadri Veselin, Kim Kardashianin, Rita Orën dhe Lionel Messin.

Këta njerëz argëtues, që nuk ua lodhin mendjen, do të duhej t’iu argëtonin vetëm në kohën tuaj të lirë. Koha e lirë është ajo e pas-punës. Kur të flisni, dhe t’i zgjeroni horizontet tuaja kuptimore mbi punën, mbi rrethanën tuaj, mbi pozitën tuaj sociale, mbi skemën e prodhimit.

E vërteta është që, pikërisht përmes këtyre llafeve të përditshme, ju i keni ekskomunikuar punëtorët. Ata që për dallim nga të lartpërmendurit me emër e mbiemër, përnjëmend punojnë. I keni përjashtuar nga gjuha dhe bota juaj.

Inspektoriati i punës do të duhej të merrej më intenzivisht me shkeljet që bëjnë kompanitë ndërtimore. Është krejtësisht jologjike që një kompani e cila i ka të regjistruar veç 3-4 punëtorë në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës [ARBK] të marrë tenderë nëpër komuna të vendit. Por, që Inspektoriati të punonte përnjëmend, do të duhej një presion i madh e intenziv ndaj mekanizmave kompetente. Një presion që do të niste nga llafet e përditshme që bëjmë. Nga lajmet që vendosni t’i lexoni. Nga një riorientim i vëmendjes.

Shpërndaje në: