Editorial | Kasta që flet në emër të Ramushit

Periskopi Editoriale

Sot u diskutua për vendimin e kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagës së tij dhe të vartësve të tij. Rasti është dërguar në Gjykatën Kushtetuese sepse dyshohet që përbën ‘konflikt interesi’ nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo e fundit sot e thirri në interpelancë kryeministrin, duke i kërkuar shpjegime për vendimin e tij. Kthimi i vendimit nga gjykata nuk është aq i thjeshtë sa mund të parakuptohet. Në mënyrë institucionale, pra jo vetëm nga opozita, doli që kryeministri i Kosovës kishte marrë një vendim që përbënte konflikt interesi. Kjo e shpreh hapur dhe qartë tendencën e këtij kryeministri për të vepruar kundërligjshëm, ose thënë popullorçe, për të vjedhur. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha me të drejtë sot në foltoren e Kuvendin se “t’i rrisje pagën vetes nënkuptonte vjedhje. E se vjedhja, nuk ishte vjedhje vetëm se ndodhte tinëz por për shkak se ishte vjedhje.” Me fjalë të tjera, ai e quajti kryeministrin Haradinaj ‘vjedhës’ ose ‘hajn’. Por ndoshta, kjo shkon më thellë se kaq.

Reagimi i kryeministrit ishte tepër i vrazhdë drejtuar deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Të dyja këto parti u bënë bashkë për të kundërshtuar vendimin, por Haradinaj ngulmoi në të tijën. Një ngulmim në lakmi, në etjen e pangopshme për të fituar më shumë. E gjithë kjo, nga një njeri me një standard shumë të lartë jetese. Kjo e çoi atë në një rezonim mjaft domethënës klasor: “nuk ka nevojë që kryeministri të ketë këmishën e çkyer që të jetë i ndershëm.” – tha ai. Dikujt edhe mund t’i duket e arsyeshme, por në fakt kjo e reflekton një ndarje të thekshme të kryeministrit me qytetarët. Një moskuptim bazik të situatës së rëndë ekonomike, dhe pamundësinë e tij që të ketë empati për ta.

Në një editorial të mëparshëm, Periskopi ka sqaruar se ‘rritja e rrogave’ nuk është bërë vetëm për të kënaqur kryeministrin. Jo, vendimi është pjesë e një logjike që çoi në një qeveri shumë të madhe në numra, e ku vërehet hapur tendenca për të rehatuar politikisht anëtarët e partive të koalicionit qeveritar. Politikisht? Mbase, një term më i përshtatshëm do të ishte ekonomikisht. Jemi dëshmitarë të lëvizjeve të shpeshta të politikanëve të caktuar nga njëra parti në tjetrën, dhe kjo nuk bëhet shkaku i ndërrimit të bindjeve. Kjo bëhet në mënyrë që të mbijetojnë në majë. Rritja e pagave e shpërfaq një prej shpurdhjeve të para të vendosjes së një klase të re të pasurish në Kosovë, në kurriz të qytetarëve të rëndomtë që nuk shohin e nuk do të shohin perspektivë në vend. Haradinaj dhe politikanët e tjerë, e kanë marrë perspektivën, të ardhmen, dhe duan të vendosen ose të lidhen nyjë në majë. Si individ, pozita e kryeministrit mund t’ia kënaq egon, por logjika e tij familjare e fisnore, bën që më e rëndësishme se gjithçka të jetë e ardhmja ekonomike e të tijëve.

Është njësoj si me rastin e narkotrafikantëve, të cilët duke pasur të kaluar kryesisht të varfër, bëjnë çmos të dalin në anën legale dhe të sigurojnë një të ardhme të pasur.

Kryeministri tha më tej se i kishte pëlqyer një krevatë e varur në grilat e rrethojës së qeverisë. Ajo krevatë [do të ishte mirë ta dinim cila, në mënyrë që të kishim hapësirë të shihnim më shumë shijet ose ironinë e tij] ishte pjesë e reagimit ironik të qytetarëve ndaj arsyetimit të tij për rritjen e pagave. “Pëlqimi” i asaj krevate nga kryeministri është një kundër-ironi ndaj reagimit qytetar. Por, këtu nuk bëhet fjalë për një krevatë ose disa krevata. Bëhet fjalë për pozitën e tij në skemën e prodhimit, skemën sociale në ndërtim e sipër – nga e cila një pjesë familjesh do të etablohen lart në kurriz të mijëra të tjerave që do të mbesin të shtypura. Dhe kjo, është e qartë se nuk bëhet duke u bazuar te ‘kompetenca’ ose ‘merita’ por te ‘rastësia’. Krevata, mund të zbuloj vetëm idiotësinë e tij kundrejt kërkesës së liderëve ndërkombëtarë që liderët kosovarë të kenë imazh sa më të mirë. Por, dikush t’i thotë atij se nuk është fjala për krevatë apo për dukjen fizike. Është fjala për imazhin e tyre politik – që është i ndyer me inkompetencën si lider, mediokritetin, pamundësinë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, pamundësinë e tyre për të ndihmuar sistemin e drejtësisë.

Nderi që nuk paraqitet më ‘me këmishë të çkyer’ por me ‘pushime luksoze në hotelin më të shtrenjtë në Evropë’ e dëshmon logjikën ramushiane. Rritja e pagave nuk është pjesë e të menduarit të përkohshëm. Jo. Ky është aksidenti i një njeriu injorant e pa vetëbesim. Rritja e pagave [sepse kjo duhet bërë për pjesëtarët e ardhshëm të ekzekutivit, ose legjislaturën e ardhshme] është pjesë e një të menduari për të ardhmen – ku ajo që mendohet është etablimi i vetes në shtresën e pasur.

Haradinaj është vetëm një reprezentues vulgar i kësaj logjike. Është ndër të parët që e thotë haptas se ‘ne kemi në dorë fatin e dy milionë vetëve” e prandaj duhet të “jetojmë dinjitetshëm” shkaku i përgjegjësive që kemi. Por Haradinaj është krejt i papërgjegjshëm. Dje u njoftua se Agjencia Kosovare për Akreditim [AKA] ishte përjashtuar nga Regjistri ndërkombëtar [EQAR]. E pakta që do të mund të bënte në rastin e shkarkimit të bordit të Agjencisë, ishte të jepte arsyet për një vendim të tillë. Nuk i dha. Kësisoj, fati i dy milionë vetëve është në dorën e një njeriu të papërgjegjshëm.

Kështu ndodh futja e papërgjegjësisë në skematizimin social. Legjitimimi i pabarazisë sociale. Shpërndarja e shtypjeve, e pabazuar në ‘meritë’. Nuk ka lidhje që buxheti i Kosovës vijon të mbetet tepër i vogël, dhe nëse zhvillimi ekonomik është poashtu tepër i vogël. Vizioni i ngushtë i elitës politike është që brenda kësaj skeme të jenë në majë. S’ka lidhje nëse kjo në një të ardhme jo të largët mund të prodhojë trazira sociale. E ku armiku nuk do të jetë më i jashtëm, Sërbia, por i brendshëm, Ramushët.