Edi Rama ultimatum deputetëve të PS: Asnjë koment cenues për SPAK – lini mandatin, pastaj bëni avokati

Edi Rama ultimatum deputetëve të PS: Asnjë koment cenues për SPAK – lini mandatin, pastaj bëni avokati

Kryesocialisti Edi Rama ka dërguar një mesazh me doza të forta kritike në grupin Whatsapp të skuadrës së deputetëve të Tiranës.

Rama kërkon qëndrim të deputetëve të PS, lidhur më pavarësinë e drejtësisë, kryesisht SPAK-un.

Shkak për këtë mesazh raportohet se është bërë një intervistë e deputetit Etjen Xhafaj në një studio televizive.

“Jam pa fjalë! E paimagjinueshme se si një deputet i Partisë Socialiste mund të flasë si në kafene, si tifoz, duke bërë një avokati banale që për më tepër s’ndihmon askënd hiç fare, ndërkohë që s’ka asnjë lidhje me qëndrimin tonë parimor për paraburgimin pa gjyq të kryebashkiakut të kryeqytetit! A është i pafajshëm a i fajshëm Erioni apo kushdo tjetër, këtë s’ia ka ngarkuar askush as PS, as mua e as Etienit natyrisht, që ta thotë në mexhelis”.

Ata deputetë socialistë thotë Rama që duan të merren me avokati publike, le ta lenë mandatin dhe le të thonë ç’të duan pastaj në çdo cep të kënetës mediatike.

“Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete, me përmbajtjen e akuzave a me pretendimet e të akuzuarve! STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un, mbetet e palëkundur dhe kritikat tona parimore të mundshme, nuk janë as me kohë e pa kohë, as pune e kujt t’i teket nga deputetët ose përfaqësuesit e tjerë të PS! Kështu që fokusohuni tek detyrat tuaja, ku nuk hyn gjëkundi muhabeti i kafenesë për drejtësinë”

Shpërndaje në: