Edi Rama: Pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte UÇK, i dha popullit të tij forcë të panjohur më parë në trojet tona
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka lartësuar figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai tha se pa Ibrahim Rugovën nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, pa politikën e tij afruese me aleatët, nuk do të jehonin as armët e ushtarëve të UÇK-së bashkë me bombardimet e NATO-s mbi Beograd.
Në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, Edi Rama tha se “po flas sot mbi njeriun që e ka shënjuar historinë e shqiptarëve”.
“Rugova ishte revolucionar me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetas revulocionar. Rugova ishte si intelektual i nxjerrur nga arkivat e kohës romantike”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare, tha se s’ka politikan tjetër si Rugova.
“Ai ishte i papërsëritshëm dhe i pashpjegueshëm deri në fund se si arriti t’ua imponojë njerëzve rrjedhën e politikës së tij. Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona”, tha Rama.
Sipas tij, Rugova besoi verbërisht tek aleancat dhe aleatët.
Rama tha se Rugova i dha Kosovës aleancën me ndërkombëtarët si pasuri natyrore që vendi i tij nuk e kishte.
“Presidenti Rugova ishte president i shpresës në mes të shtypjes së shpresës. Ishte lider i pazakonshëm në Ballkan”, tha Rama.
Sipas tij, Rugova ishte i vetmi në këtë vend që kishte kuptuar se konflikti nuk është rruga për drejtësi afatgjate.