Edi Rama: Komisioni i Posaçëm, mekanizëm permanent i Kuvendit të Shqipërisë deri në anëtarësimin në BE
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Kuvendi i Shqipërisë, është institucioni që mund të mbledhë të gjithë institucionet rreth misionit për integrimin e shpejtë të vendit në BE, dhe që mund të sigurojë që qytetarët e Republikës së Shqipërisë, të cilëve iu shërbejnë të gjithë këto institucione, të jenë të garantuar që asnjë institucion nuk i tradhton në pritshmërinë e tyre për ta parë Shqipërinë anëtare të BE-së.
“Ne nuk kemi kohë as për të humbur e as për të pritur ata që kanë një agjendë tjetër, e një plan tjetër e që nuk iu intereson anëtarësimi, qoftë dhe për arsyen e thjeshtë se duan ta bëjnë vet. Dhe duke u kthyer te koha dhe arsyeja themelore e krijimit të Komisionit Antikorrupsion, në 700 faqet e analizës së të cilit nuk ka asnjë fjalë për drejtësinë dhe pushtetin gjyqësor, po ju them se që Shqipëria të anëtarësohet në BE, duhet të performojë me të njëjtën shpejtësi, me të njëjtën bindje dhe të njëjtin efikasitet”, u shpreh Rama në takimin e nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE-Rruga e Reformave”.
“Qeveria e Republikës së Shqipërisë, as mund t’u thotë pse nuk e bënë këtë. Mirëpo në tryezën e negociatave BE nuk negocion me qeverinë, por me Shqipërinë. Qeveria ka pjesën e saj, por lind pyetja: Cili është institucioni në këtë Republikë që mund të mbledhë të gjithë rreth këtij misioni dhe mund të sigurojë që qytetarët e Republikës së Shqipërisë të cilëve iu shërbejnë të gjithë këto institucione të jenë të garantuar që asnjë institucion nuk i tradhton në pritshmërinë e tyre për ta parë Shqipërinë anëtare të BE-së. Ka vetëm një institucion dhe asnjë tjetër, dhe ky është Kuvendi i Shqipërisë, i cili është për natyrën e vet kushtetuese i vetmi institucion që ka të drejtën dhe detyrën t’i thërrasë të gjithë, edhe madje në procesin e vet, natyrshëm t’u kërkojë edhe hesap dhe të bëjë edhe rezoluta, të ngrejë edhe probleme, të nxjerrë dhe pretendime dhe të kërkojë edhe llogari. Ky është institucioni që mund të garantojë që procesi është i harmonizuar, transparent dhe procesi ka elementin llogaridhënës të të gjithë institucioneve”, u shpreh ai.
Rama theksoi nevojën e koordinimit mes institucioneve.
“Nëse ne duam që 855 masa të cilat lidhen me shtetin e së drejtës, ku 59 % të detyrave i ka pushteti gjyqësor dhe i kanë institucionet e drejtësisë, Republika e Shqipërisë t’i realizojë me sukses, këtu nuk diskutojmë fare, por të gjithë të jenë dakord që duhet të koordinohemi, dhe të harmonizojmë veprimtarinë e shtetit shqiptar, në mënyrë që avancimi ynë drejt përfundimit të negociatave të jetë uniformë”, shtoi ai.
Me tej ai theksoi sot se “puna e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, është themelore dhe duhet të mbështetet me të gjitha fuqitë dhe duhet të çojë përpara punën e vet”.
“Por ne duhet që këtë komision më tutje ta transformojmë në një mekanizëm permanent të Kuvendit për të ndjekur të gjithë procesin deri në momentin e anëtarësimit në BE”, tha Rama në takimin e nivelit të lartë ”Shqipëria 2030 në BE-Rruga e reformave”, të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Kreu i qeverisë u shpreh se “për të bërë të mundur që përmes këtij mekanizmi që janë të përfshira në këtë proces të performojnë në lartësinë e ambicies që ne kemi shpallur që është “Shqipëria në BE në vitin 2030. Përndryshe ne nuk e arrijmë dot këtë. Është e pamundur”.
“Volumi i detyrave që duhen bërë është i jashtëzakonshëm dhe BE-së nuk fal asgjë. Nuk dhuron asgjë kur vjen puna tek standardet dhe kriteret që duhet të plotësojë një shtet nuk ka as gjeopolitikë as luftë, as kriza të çfarëdo natyre që mund ta bëjë BE-në të thotë meqë po ndodhin këto gjëra, hajde t’i mbyllim sytë për këto gjëra. Kjo është kaq e vërtetë që edhe Ukraina që ka gjithë këtë mbështetje kolosale kur vjen puna tek hapat për t’u bërë anëtare e BE do të bëjë hapat një për një dhe nuk do të bëhet dot anëtare e BE-së ashtu siç i kërkojnë standardet dhe kriteret e BE-së”, tha Rama.