“Edhe unë e kam një kufi…” – Raphinha zbulon si erdhi deri tek përleshja mes lojtarëve të Benficës e Barçës

“Edhe unë e kam një kufi…” – Raphinha zbulon si erdhi deri tek përleshja mes lojtarëve të Benficës e Barçës

Barcelona e regjistroi mbrëmë një fitore të çmendur duke e mundur Benfican me përmbysje me rezultat 5:4, në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë.

Por, gjakrat u nxehën me të përfunduar loja, me lojtarët e ekipit portugez që ishin të nervozuar, gjë që bëri që situata të eskalonte rrugës për në dhomat e zhveshjes.

Mediat raportuan se kishte përleshje mes dy ekipeve pas ndeshjes së vlefshme për xhiron e shtatë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

E i përfshirë në këtë rrahje ishte edhe braziliani Raphinha, i cili ishte vendimtar në fitoren domethënëse të gjigantit katalunas.

Madje, braziliani thuhet të ketë qenë në qendër të incidentit, pas së cilit u desh të intervenonte sigurimi për ta bllokuar qasjen për tek dhoma e zhveshjes së ekipit katalunas.

“Derisa isha duke u larguar nga fusha nisën të më fyenin. Natyrisht, unë ua ktheva në të njëjtën monedhë, ndonëse jam i vetëdijshëm se s’duhet ta bëja këtë. Unë i respektoj të gjithë nëse edhe ata më respektojnë, por nuk e mbyll gojën nëse më fyejnë njerëzit.

Situata u bë e papranueshme me lojtarët kundërshtarë, të cilët po më fyenin pa u ndalur. Edhe unë e kam një kufi, nuk lejoj që gjërat ta kalojnë limitin. Ky eskalim është normal pas një përfundimi të tillë dramatik të lojës”, deklaroi Raphinha pas incidentit.

Shpërndaje në: