Edhe pak ditë na ndajnë nga Katari 2022: Trajneri kosovar jep parashikimin e finalistit të Kupës së Botës

Edhe pak ditë na ndajnë nga Katari 2022: Trajneri kosovar jep parashikimin e finalistit të Kupës së Botës

Me 20 nëntor nis Kampionati Botëror i Futbollit që mbahet në Katar.

Tashmë ku ka mbetur edhe një javë nga nisja e këtij kompeticioni të madh sportive, Kombëtaret kanë filluar të publikojnë listat me futbollistë të ftuar, shkruan Periskopi.

Brazili, Spanja, Argjentina, Franca, Portugalia… janë vetëm disa nga vendet që do të garaojnë për trofeun e madh të botës.

Rëndësia e Kupës së Botës dihet se sa e madhe është dhe për këtë Periskopi ka kontaktuar trajnerin dhe analistin e futbollit kosovar, Genc Sermaxhaj për të pranuar një mendim të tij në lidhje me Kombëtaret më të forta, madje pse jo për ta parashikuar edhe finalistin e këtij kompeticioni.

Sermaxhaj fillimisht tha se njerëzit mund të shohin lojtarë të rinj që vijnë pas përfundimit të Botërorit.

“Padyshim se në Kupën e Botës kemi kombëtare shumë të fuqishme, shumë yje të futbollit dhe shumë yje të tjerë që mund të vijnë pas përfundimit të këtij botërori, siç ka ngjarë edhe në të kaluarën”, tha fillimisht ai.

Tekniku përmendi faktin se trajnerët ndikojnë shumë për çdo ndeshje të botërorit, por janë edhe lojtarët ata që duhet të luajtur me zemër për vendin e tyre. Madje ai numëroi kombëtaret që janë favorite për ta fituar kompeticionin.

“Normalisht që trajnerët ndikojnë jashtëzakonisht shumë në mënyrën se si një ekip futbolli mund të luajë, por gjithashtu e rëndësishme është që lojtarët jenë cilësorë për ta kompletuar ekipin dhe për të pasur sukses. Mendoj se ka disa kombëtare që janë të mira dhe që mund të shkojnë shumë lartë në këtë botërorë e që janë Spanja, Brazili, Argjentina, Belgjika, Portugalia të cilat mund të jenë një hap para tjerave”, vazhdoi tekniku kosovar.

Ai gjithashtu dha një parashikim se cilat Kombëtare do të jenë finalist të botërorit. Tutje tha se e veçanta e këtij Botërori është se tifozët në Kosovë do të shohin ndeshje në stinën e dimrit.

“Megjithatë botërori është ngjarja më e madhe e futbollit në botë dhe mund të ketë edhe befasi. Megjithatë Spanja dhe Argjentina mund të jenë njëra nga kombetaret finaliste sepse kanë më shumë cilësi brenda vetes. Botërori për herë të parë luhet në dimër dhe kjo ka për te sjellë emocione tjera sepse jemi mësuar ta shohim vetem në stinen e verës, atëherë kur kampionatet të kenë përfunduar dhe lojtarët mund të jenë të lodhur, tani është më ndryshe sepse lojtarët janë në nivelin më të mirë fizik dhe kjo mund të sjell një botëror me shumë angazhim e dëshirë maksimale për suksese”, përfundoi Sermaxhaj.

Kujtojmë se finalja e madhe e Botërorit luhet me 18 dhjetor të vitit 2022./Periskopi/

Shpërndaje në: