Edhe njëherë për gratë
Jetlir Buja
I gjithë ekzistencializmi sartrjan (prej të cilit asht frymëzu Simona) e ka atë kuptim. Je vet fajtor nëse mbetë viktimë tanë jetën. Nëse kukatë, përqyrresh e kanë tanë jetën se t’u kanë shkelë të drejtat atëherë budalla në atë mes je ti.
Kjo nuk asht botë parajse. Këtu duhet me luftu për të drejtat dhe mundësitë e tua. Kjo vlen edhe për gratë. Nëse ato janë shtypë me shekuj e mijëvjeçarë, faji nuk qëndron veç te “idiotësia ose paemancipimi” i burrit. Jo, faji qëndron edhe te gojëmsheltësia e grues.
Pra, unë e përçmoj dhe e kundërshtoj feminizmin që operon me logjikën e viktimës. I them jo. Ajo asht lëvizje që nuk lëvizë. Lëvizje që përqeshë e shanë, por që mbetë në nji vend, e kënaqun me vuejtjet e saj. E rehatueme në atë gjendje.
Veç 16 përqind e pronave në Kosovë janë të grave, me letra – raporton kallxo.com. Dhe kjo shifër mun me qenë edhe ma e vogël, sepse letrat zakonisht rrejnë. Shërbejnë për mbulim.
Në praktikë, pra, gratë kosovare janë viktima që nuk meritojnë përkdhelje si viktima. Ato meritojnë përçmim. Viktima si viktimë meriton përçmim. Sepse aty ka humbje e mjerim.
Kjo asht arsyeja pse Atifete Jahjaga, ish-presidentja lexuese e Kosovës, nuk pëlqehet. Sepse modeli i grues që dëshirojmë me avancu asht tjetër. Jo lexuese e teksteve që i përgatisin burrat – por folëse e fjalëve të veta. Jo budallicë që zgjedhet me zarfa e dallavere por gru e meçme që zgjedhet me votë e me procedurë të rregullt. Gru që lufton për karrigen e saj, jo se asht gru, por se asht e aftë.
Tu dashtë me e mbrojtë gruen ne po ia paragjykojmë do paaftësi që ajo s’i ka. Paaftësitë eventuale janë në fakt, kontekstuale, konstrukte sociale, jo natyrore.
Grueja asht prodhim i shoqnisë. Dhe shoqnia jonë vazhdon me prodhu gra-viktima, të shtypuna, për gjynah. Dhe burra të frustruem seksualisht, shtypës, sundues, e fitues.
Kjo asht ndamja gjinore që po e projektojmë. Prandaj ka shumë pak gra që kërkojnë pronë. Sepse i përtojnë luftës për atë pronë. Nuk dojnë me u shndërru në objekt talljesh e përçmimesh. Dojnë me qenë gjithçka gati, gjithçka pa dhimbtë, lehtë e butë.
Jo, asnji i shtypun nuk asht çlidhë prej zingjirëve në atë formë. Grueja asht përgjegjëse për pozitën e vet në shoqni – pavarësisht prej rrethanës ku ndodhet. Asht ma e kollajtë me e justifiku pamundësinë sesa me shfrytëzu mundësinë.
Prandaj, ato i kanë dy rrugë para vetes: ose luftën e parehatinë për nji pozitë ma t’mirë ose çajin e rusit, punët e shpisë, rehatinë dhe nji pozitë të mjerë.
Nuk ndodh asnji send pa angazhim konkret. Feminizmi ka hapëru para me veprime konkrete: qoftë fushatës pro-abortit, pro kontraceptivëve, qoftë zbulimit të ilaçit për parandalimin e shtatzanive të padëshirueshme, qoftë përmes përkrahjes së grave të divorcueme dhe shtytjes së grave me u divorcu, qoftë përmes fushatës për të drejtën e hises.
Rrugë të lehtë nuk ka për gratë e shoqnisë tonë! Ato nuk duhet me u mbështet te vullneti i mirë i burrave të kësaj shoqnie. Ose me luftu ose me e palu. Pikë çuditëse!