Edhe njëherë mbi çështjen e veriut
– Çështja e ndërtimit të Xhamisë së Ibrit nuk është në kompetencë të plotë të Komunës së Mitrovicës, madje nuk ka të bëj fare me ndonjë ndikim ekzekutiv apo politik të saj. Kjo çështje i takon ministrive përkatëse të Qeverisë së Kosovës.
– Bashkimi Evropian, si garantues i marrëveshjes së Brukselit, marrëveshje kjo që ka bashkuar në një tryezë edhe lider komunalë, gjegjësisht kryetarin e Mitrovicës së Veriut dhe Jugut, nuk ka dhënë asnjë verdikt që flet për ndërtimin e Xhamisë së Ibrit, për më tepër, në planin e saj që gjendet tek hapësira punuese afër Urës së Ibrit nuk shihet ndonjë objekt që identifikon Xhaminë.
Përveç kësaj, nuk kemi as edhe një prononcim apo deklaratë të vetme nga Brukseli dhe përfaqësues së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me këtë çështje.
– Deklaratat e politikanëve kosovar lidhur me problemin e veriut, e posaqërisht rivitalizimit të urës së Ibrit kanë qenë më shumë populiste sesa serioze. Kujtojmë deklaratat e politikanëve në nivel qendror, por edhe në atë lokal, si psh ato të Bahtirit, të cilët gënjyen shumë herë lidhur datën e rivitalizimit se Urës së Ibrit. Përveç kësaj, nuk ngurruan ta shihnin këtë proces si të arritur institucionale, ndonëse ajo është bllokuar nga disa banditë, të cilët me vazo pishash bën që çështja e ures të futet si pikë diskutimi në bisedimet e Brukselit. Si duket nuk po mjaftojnë me kaq, disa prej tyre vazhdojnë t’iu premtojnë qytetarëve kosovar projekte të cilat ideohennë zyret e tyre, e nuk gjejnë zbatim tek palët me të cilët po mëtojnë krijimin e marrëdhënjeve të mira.
– Politka kosovare nuk është treguar asnjëherë serioze lidhur gjendjen e popullsisë në veri të vendit. Mos të harrojmë që pikërisht në vendin për të cilin po debatohet kaq shumë, kanë ndodhur plot vrasje dhe asnjëherë politika kosovare nuk ka thirrur në drejtësi, dhe as që ka denjuar të shtyej përpara ndonjë proces shpresëdhënës.
– Unë e çmoj kontributin e shumë personave në Mitrovicë dhe të disave jashtë saj që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për veriun, por fatkeqësisht më duhet ta përmendi edhe faktin se asnjë entitet politik nuk është bastardizuar nga politika kosovare më shumë sesa çështja e veriut.
Autori është themelues i grupit të pavarur të qytetarisë aktive në Mitrovicë “Tjetërqysh”