Edhe një rund i pasuksesshëm në bisedimet Kosovë-Serbi, krejt çka ndodhi dje në Bruksel

Edhe një rund i pasuksesshëm në bisedimet Kosovë-Serbi, krejt çka ndodhi dje në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan dje ndaras në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në një raund të ri bisedimesh, mes debateve për situatën në veriun e Kosovës dhe përpjekjeve të BE-së për të shtyrë palët drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Lajçak takoi ndaras të dy palët, por nuk pati një takim trepalësh. Emisari evropian ka thënë se është i zhgënjyer që nuk pati takim trepalësh.

Lajçak ka thënë se i vjen keq që s’u trajtuan çështjet urgjente në një takim trepalësh.

Ai ka shtuar se do të mbetet në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojnë tutje në javët në vijim.

“Prita sot në Bruksel dy kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dhe delegacionet e tyre për takime të ndara. Më vjen keq që nuk i trajtuam çështjet më urgjente në një format trepalësh sot. Unë mbetem në dispozicion të palëve dhe do të vazhdojmë në javët në vijim”, ka shkruar Lajçak të mërkurën.

Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, ishte Petar Petkoviq ai i cili kushtëzoi agjendën e takimit trilateral me kërkesa të papranueshme për Kosovën, por nuk i bëri të ditura se cilat ishin kërkesat.

“Në agjendë kishte vetëm një pikë, ecja përpara me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Por u theksua se tema shtesë mund të diskutohen nëse të dyja palët pajtohen. Ne u pajtuam për këtë, por Serbia donte ta kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në takim me tema shtesë në agjendë, të cilat nuk ishin të pranueshme për palën kosovare. Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa takim trilateral nuk pati, për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë. Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”, tha Bislimi.

Gjatë takimit atje, u diskutua edhe çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Përmes njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur se Bislimi ka theksuar se sipas BE-së dhe raporteve të Komisionit Evropian që nga viti 2014, ura duhet të hapet pa vonesa të mëtejme.

“Mbi lirinë e lëvizjes, zëvendëskryeministri e informoi z. Lajçak mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces.

Njëherit, Bislimi ka thënë se kjo çështje është trajtuar e dakorduar në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut.

“Ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit”, ka deklaruar Bislimi.

Në anën tjetër, kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviç tha gjatë një konference për shtypin se në takim i ka paraqitur masat e publikuara nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç për zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës, duke nënvizuar se Serbia është e gatshme për kompromis, por pa takime trepalëshe negociatat nuk kanë kuptim.

Petkoviq ka akuzuar se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk ka dashur të ketë takim trepalësh. “Ai ka refuzuar të takohet me përfaqësuesit e Beogradit, sepse ne kemi insistuar në tema si AKS-ja, shërbime postare dhe çështjet e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Paramendoni kur ai nuk do të flasë për këto gjëra të rëndësishme”, tha Petkoviq.

Shpërndaje në: