Edhe një klub italian në garë për Bonuccin, nis bisedimet për transferimin e tij
Genoa ka hapur bisedimet me Leonardo Bonuccin, teksa synon të mposhtë Lazion dhe Union Berlinin për veteranin e Juventusit.
Trajneri i Bianconerëve, Massimiliano Allegri, e ka hequr qendërmbrojtësin italian nga skuadra në Torino dhe nuk e mori në turneun parasezonal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Bonucci, i cili ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me Juventusin, ka qenë në bisedime me Lazion dhe Union Berlinin në muajt e fundit, por nuk ka arritur ende të finalizojë një largim nga “Allianz Stadium”.
Siç raportohet nga Gianluca Di Marzio, Genoa ka kontaktuar 36-vjeçarin për të filluar eksplorimin e një lëvizjeje të mundshme në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës.
Bonucci nuk ka rënë dakord ende për një marrëveshje me Union Berlinin dhe besohet se do të preferonte të qëndronte në Itali, por nuk është transferuar te Lazio sepse Maurizio Sarri ende nuk ka dhënë dritën jeshile.
Kësisoj, Genoa është duke punuar shumë për të forcuar skuadrën e saj këtë verë. Pas Mateo Retegui dhe Ruslan Malinovskyi, klubi synon të nënshkruajë me mbrojtësin e “Zonjës së Vjetër”.