Edhe FIFA reagon për situatën që po kalon FSHF
FIFA ka reaguar e shqetësuar për situatën që po kalon Federata Shqiptare e Futbollit për shkak të ndërhyrjeve politike.
Ne një letër zyrtare të dërguar sot në adresë të FSHF-së, qeveria e futbollit ndërkombëtar shprehet shumë e shqetësuar për situatën e krijuar dhe thekson mbështetjen e saj të plotë për Federatën e Futbollit në këtë moment.
Gjithashtu, FIFA reagon edhe për shpërthimin e ndodhur të hënën në shtëpinë e Presidenti Duka dhe dënon me ashpërsi këtë akt të rëndë.
Më poshtë edhe letra e plotë e dërguar nga FIFA në adresë të FSHF:
“I nderuar zoti Shulku,
Me shumë shqetësim kemi mësuar për situatën mjaft problematike me të cilën po përballet Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) në procesin e saj zgjedhor.
Në këtë aspekt dhe para së gjithash, u shqetësuam shumë kur morëm vesh për shpërthimin me bombë të ndodhur më 24 janar 2022 në shtëpinë e familjes së Presidentit të FSHF-së, z. Armand Duka. FIFA e dënon këtë akt në mënyrën më të ashpër të mundshme.
Së fundi, dëshirojmë të theksojmë se FIFA pret që FSHF-ja të mbetet në pozicionin për të zhvilluar një proces zgjedhor paqësor, transparent dhe të rregullt, pa ndikimin e panevojshëm nga palët e treta në përputhje me statutet dhe rregulloret e sapo miratuara të FSHF-së, si dhe kërkesat e FIFA-s. Ju do të keni mbështetjen tonë absolute në përpjekjet tuaja dhe ne jemi në dispozicionin tuaj të plotë nëse FSHF do të kërkojë ndihmë.
Ju lutemi të na informoni menjëherë për çdo zhvillim në këtë drejtim.
E juaja sinqerisht,
Kenny Jean-Marie
Përgjegjësja e Zyrës së FIFA-s për Federatat Anëtare”.