Edhe dy ditë afat: Një koalicion parazgjedhor i regjistruar, dy parti njoftojnë për mospjesëmarrje
Deri të premten është afati për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë për Periskopin se deri tash ky institucion është njoftuar për koalicionin mes dy partive politike të regjistruar: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli.
“Është duke vazhduar për deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Deri më tani KQZ ka pranuar deklarimin e një koalicioni ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli.”
Të gjitha partitë që synojnë të garojnë në zgjedhje për koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ’në më së largu deri më 30 gusht, ora 16:00.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 (16:00) ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, derisa rezultatet e zgjedhjeve të certifikohen.”
“Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si parti politike e veçantë në të njëjtat zgjedhje.”
Elezi tha se dy parti të regjistruara kanë njoftuar që s’do të marrin pjesë në zgjedhje: Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëzivja për Bashkim.
“Më 30 gusht 2024 (16:00) përfundon edhe afati për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mospjesëmarrje në zgjedhje. Deri më tani, partitë politike të regjistruara, Partia Demokratike e Diasporës dhe Lëvizja për Bashkim, kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje.”