Edhe diçka për fushatën nëpër odat drenicase

Edhe diçka për fushatën nëpër odat drenicase

Debatin që ka hapur Vullnet Krasniqi në shkrimin me titull “Këmbëkryq në odën e marrëzisë”, e kanë vazhduar Milaim Zeka dhe Ganimete Musliu. I njoh personalisht që të tre. Mili s’do duhej ta shndërronte këtë shkrim në sulm kundër kolegëve të tij, Ganja s’do duhej të tingëllonte mosduruese ndaj kritikave dhe kritikat e Vullnetit janë me vend.

Odat nuk i fyen askush si objekte se do të ishte absurde. Është njësoj si ta fyesh objektin e ahurit si të odës. Ato marohen prej të njëjtit material por të destinuara për qëllime të ndryshme. Kështu që nuk ka problem askush me ‘objektin odë’. Problemi qëndron te trajtimi që i bëhet Drenicës përmes odave. Të marrëzisë, sic do të thoshte Vullneti. Pse duhet të njëjtit njerëz ta identifikojnë Drenicën me oda, e të njëjtit ta identifikojnë ‘PDK-në e Drenicës’ në Prishtinë me zyre e salla moderne. Nëse bash i kryen punë ‘oda’ si objekt për të qenë më i suksesshëm, pse Enver Hoxhaj nuk e shndërron objektin e Ministrisë së Jashtme për shembull në një pamje ode?

Problemi ka të bëjë me trajtimin e ‘mentalitetit drenicas’ i cili, me sa kam kuptuar te Vullneti dhe nëse nuk gaboj, kështu mendoj edhe unë, oda është një identifikim me Drenicën (Shota, Xheva, Zahidja…nana ime Zymrija, apo?!). Nëse nuk e përdorë këtë objekt në fushatë, fushata jote do të dështojë. Po të kishte zgjedhje në Prishtinë ose Gjilan, pra do të shihnim një fushatë nëpër restorante, hotileri…Por jo. Këta, që kanë zbarkuar në Drenicë, janë dyfytrësh të mentalitetit. Pra, fyejnë mentalitetin. Këta, po i thonë Drenicës se ju jeni për oda ndërkaq po sa ta kalojmë kryqin e Komoranit, ne i ndërrojmë qorapet me të cilat kemi shkelur në odat tuaja.

Dhe po. Ashtu sic thotë Vullneti. Ganja, nuk duhet të ndihet keq nëse dikush ia bën pyetjen se ku janë gratë e atyre burrave që janë nëpër oda, derisa po kuvendojnë se si do të zhvillojnë Drenasin (e shkretë…). Ku janë ato gra? Duke pjekur kingjat në helli për kuvendarët në oda? Duke i ‘vënë fëmijët në gjumë’ derisa në odat e burrave të tyre po vendoset e ardhmja e tyre?

Pavarësisht a ke vendosur të zhvillosh fushatë në odë apo në restoran, këtyre pyetjeve s’do të duhej t’u ikje dhe të mos i duroje.

Gjeneratat e reja nuk mund t’i duan odat. Milaimi, Ganja…edhe gjithë familja ime, mund të kenë kujtime të mira nga odat, për një kohë, por neve nuk mund të na imponohet dashuria ndaj këtij objekti ku femra ka pasur rolin: ‘ta shtrojë bukën”, ‘ta sjellë legenin për burrat’, etj.

Tash, mos më flisni për një Shotë, një Xhevë, një Zahide dhe ta zëmë sikur nëna ime të ishte një heroinë si ato, një Zymrie.

Fatin e Shotës, Xhevës, Zahides…nuk e kanë pasur shumë femra në Drenicë.

Ndoshta, duhet të kërkojmë edhe shumë heroina. Ndoshta, ato mund t’i gjejmë edhe jashtë odave…

Ndoshta janë ato gratë që pjekin kingja në helli. Ato që i kanë dërguar fëmijët të flenë derisa në odë po bëhet fushata.

A mund ta imagjinoni se mund ta kenë një rrëfim për jetën edhe ato? Ndoshta ka pak heroizëm edhe në jetën e tyre…Pse s’po e kërkojmë?

 

Shpërndaje në: