Edhe BMW largohet nga Rusia
BMW ka marrë vendim që ta ndalojë dërgimin e automjeteve në tregun rus, por edhe për të ndalë prodhimin e tyre në Kaliningrad. BMW i është bashkuar kështu një numri të konsiderueshëm të prodhuesve të veturave dhe pjesëve për vetura që po i ndërpresin lidhjet biznesore me Rusinë, në përputhje me sanksionet e vendosura nga vendet perëndimore.
“Ne e dënojmë agresionin rus kundër Ukrainës, dhe po i monitorojmë zhvillimet e mëtejshëm të ngjarjeve me një shqetësim dhe tmerr të madh. Për shkak të situatës aktuale gjeopolitike, deri në vendimin tjetër, ne po e ndalojmë prodhimin vendor dhe eksportin tonë në tregun rus,” deklaroi një zëdhënës i BMW.
Siç dihet, dy vite më pare BMW hoqi dorë nga ndërtimi i një fabrike në Kaliningrad, megjithëse e ruajti partneritetin me prodhuesin rus Avtotor. Fabrika e përbashkët me Avtotor monton vetura vetëm nga pjesët e përgatitura paraprakisht. Vitin e kaluar në këtë fabrikë janë montuar rreth 12,000 vetura, ndërkohë që në gjithë Rusinë nga Gjermania janë eksportuar rreth 47,000 vetura BMW.