Edhe 10 muaj pas sulmit në Banjskë, Serbia pa asnjë veprim ndaj Radoiçiqit

Edhe 10 muaj pas sulmit në Banjskë, Serbia pa asnjë veprim ndaj Radoiçiqit

E pavarësisht se Kosova i ka kërkuar zyrtarisht Serbisë që ta dorëzojë terroristin e sulmit të Banjskës, Milan Radoiçiq, Serbia nuk ka bërë asgjë deri tani që ta zbardhë rastin e nuk ka marrë asnjë mas ndaj Radoiçiqit, i cili kishte pranuar se e kishte organizuar sulmin në Zveçan ku kishte mbetur i vrarë një polic e Kosovës. Në Serbi thonë se rasti i Banjskës e ka rënduar procesin e dialogut.

Edhe pas gati dhjetë muajsh hetimi kundër udhëheqësit të sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Milan Radoiçiq, nuk ka ecur përpara, pavarësisht pranimit të tij publik se qenë organizator i sulmit. Sipas njoftimit të fundit të Prokurorisë së Lartë, hetimet janë duke vazhduar. Avokati Çedomir Stojkoviq beson se tani është radha e Perëndimit të veprojë për të ushtruar presion shtesë ndaj autoriteteve serbe.

“Perëndimi duhet të ndërmarrë hapat e duhur. Fakti që Milan Radoiçiq është i lirë është një mesazh i qartë se kushdo që mund te posedojë armët për të realizuar interesat nacionaliste serbe, do të marrë imunitet. Milan Radoiçiq i lirë, do të thotë një mesazh se mund te jeni imun para ligjit. Perëndimi duhet te kupton këtë esence”, tha avokati Çedomir Stojkoviq.

Institucionet e Kosovës kërkojnë që Serbia të ekstradojë Milan Radoiçiqin në Kosovë. Lidhur me këtë, konsiderohet se Banjska e ka rënduar procesin e dialogut. Për gazetaren Sofija Popoviq, Banjska shihet si pikë kthese.

“Kjo ka tronditur besimin e partnerëve perëndimorë se cila është politika e Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën. Pra, mendoj se ndjekja penale e Milan Radoiçiqit nga Perëndimi do të insistohet, por mendoj se edhe Beogradi do të insistojë që ai të mos ndiqet penalisht në përputhje me përmasat e krimit që ka kryer. Ndërsa nuk dihet nëse cila është baza ligjore që të ndodhë ekstradim, por jam e sigurt se do të kërkohet një proces gjyqësor kuptimplotë kundër Radoiçiqit në Beograd”, tha Sofija Popoviq nga European Western Balkans

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, disa here tha se Radoiçiq është çështje e organeve gjyqësore të shtetit. Zyrtarisht, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd po e heton Radoiçiqin për blerjen e armëve.

Që atëherë nuk dihet nëse ka elemente për aktakuza. Perëndimi pret që Serbia të tregojë se nuk e ka mbështetur Banjskën përmes një hetimi dhe ndëshkimi efektiv të përgjegjësve, ku përfshihet Milan Radoiçiq si lider i grupit terrorist./RTK

Shpërndaje në: