“E urrej të shpëtoj Evropën”- Mesazhet e kabinetit të Trump, si doli plani i luftës

“E urrej të shpëtoj Evropën”- Mesazhet e kabinetit të Trump, si doli plani i luftës

Janë publikuar në media mesazhet që zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare të SHBA shkëmbyen në aplikacionin “Signal”, në lidhje me planin ushtarak për goditjen e grupit Huthi në Jemen.

Në grupin ku ishin zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, ishte përfshirë edhe kryeredaktori i The Atlantic, Jeffrey Goldberg. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se mesazhet janë autentike.

Mesazhet e shkëmbyera përmbanin informacione të detajuara për sulmet ajrore ndaj grupit Huthi, të mbështetur nga Irani, në Jemen. Zyrtarët diskutuan objektivat e sulmeve, armët që do të përdornin Shtetet e Bashkuara, dhe komandën e operacioneve, përcjell Periskopi.

Përveç këtyre, ata diskutuan edhe mundësinë që Evropa të mbulojë kostot e mbrojtjes që SHBA-ja ofron për rrugët kryesore të transportit. Michael Waltz, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, tha se ekipi i Trump po bashkëpunonte me Departamentin e Mbrojtjes dhe atë të Shtetit për të përcaktuar se si t’ua ngarkonin këto kosto evropianëve.

Një tjetër përdorues i aplikacionit, zëvendëspresidenti JD Vance, theksoi se Evropa do të ishte përfituesja kryesore e këtij plani.

“Unë thjesht e urrej të shpëtoj Evropën përsëri,”- tha ai.

Pete Hegseth, sekretar i Mbrojtjes, i dha mbështetje komentit të Vance, duke thënë se e ndante mendimin për mbrojtjen pa pagesë të Evropës, duke e quajtur atë “patetike.”

Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha në një komunikatë se është duke e hetuar se si ndodhi që numri i një gazetari u shtua në grupin e bisedave në aplikacionin Signal. Përveç sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, pjesë e grupit ishin edhe nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Tulsi Gabbard, drejtori i Inteligjencës Kombëtare.Goldberg tha se ftesën në Signal e mori nga Mike Waltz, këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, i cili ishte pjesë e grupit gjithashtu.

Duke folur për herë të parë për këtë çështje, Hegseth e sulmoi Goldbergun duke e quajtur “mashtrues” dhe “të ashtuquajtur gazetar”, duke iu referuar raportimit kritik të kësaj reviste për Trumpin në të kaluarën.

Ai nuk dha asnjë sqarim se pse ishte përdorur aplikacioni Signal për të biseduar për operacionin e ndjeshëm, apo se si përfundoi Goldberg në grupin e mesazheve.

“Askush nuk po dërgonte mesazhe për planet për luftë, dhe kaq kam për të thënë për këtë çështje”, tha Hegseth për gazetarë të hënën.

Në një komunikatë të hënën në mbrëmje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se presidenti ende ka “besim të plotë” në Ëaltzin dhe ekipin e sigurisë kombëtare.

Më herët të hënën, Trump u tha gazetarëve: “Nuk di asgjë për këtë. Po ma thoni për herë të parë”. Ai shtoi se The Atlantic “nuk është ndonjë revistë e madhe”.

Zyrtarët qeveritarë e kanë përdorur Signal për komunikime organizative, por ai nuk është mjet i klasifikuar dhe mund të hakohet.

Ekspertët e privatësisë dhe teknologjisë thonë se aplikacioni i njohur për dërgimin e mesazheve dhe për thirrje është më i sigurt se aplikacionet e tjera tradicionale.

Shpërndaje në: