E turpshme: Kurti e Sveçla injorojnë keq Njësitin elitar FIT në përvjetorin e Banjskës – as edhe një fjalë për ta
Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës e njohur ndryshe si FIT është themeluar në vitin 2007. Njësia më elitare në vendin tonë, kryen operacione të sigurisë në raste të veçanta dhe zgjidhjen e situatave me të cilat nuk mund të përballen njësitet tjera të policisë. Që nga themelimi, ky njësit ka marrë pjesë në operacione të shumta. Por, më i rëndësishmi qysh nga koha e pasluftës është operacioni i tyre në Banjskë të Komunës së Zveçanit, pas sulmit terrorist nga një grup serbësh. Megjithatë, sot kur shënohet përvjetori i Banjskës, çuditërisht, FIT-i ‘harrohet’ nga Qeveria Kurti.
Periskopi
FIT-i ishin ata që morën nën kontroll zonën për shkak të përgatitjes së tyre superiore. Ata arritën që me sukses t’i neutralizojnë një numër të terroristëve në Banjskë.
Edhe pas sulmit në Banjskë, ky njësit zhvilloi operacione të tjera. Falë tyre u arrit, arrestimi i Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune”.
Pavarësisht meritave të shumta pas sulmit të Banjskës, FIT-i u gjet në një pozitë që nuk e shohim shpesh për të mos thënë kurrë.
Të veshur e të maskuar, më 1 nëntor 2023 njësia më elitare e Policisë së Kosovës dolën para objektit të Qeverisë. Jo për të kryer ndonjë operacion, por për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj Qeverisë Kurti për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë.
Një pjesëtar i këtij njësiti lexoi një deklaratë para gazetarëve, gjatë protestës që u mbajt para Qeverisë së Kosovës.
“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme dhe nuk përfaqsohemi nga askush. Kërkojmë mirëkuptim dhe nuk dëshirojmë që të përdoremi nga askush për qëllime politike. Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka që 10 vite që kemi marrë premtime për benefite të cilat na takojnë, mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar”- është thënë në protestë.
“Fillimisht mospërmbushja e kërkesave tona ka qenë mungesa e ligjit të pagave, mirëpo edhe 9 muaj pas miratimit të këtij ligji, nuk janë marrë parasysh kërkesat tona. Përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesë e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra”.
SOT, kur shënohet përvjetori i Banjskës, ata të cilët luftuan ndaj terroristëve serb – u INJORUAN totalisht.
Krerët e shtetit e ambasadorë bënë sot homazhe në nderim të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.
Gjatë ditës, u mbajt edhe Akademi Përkujtimore në nderim të tij.
Megjithatë, përvec Presidentes Vjosa Osmani, askush nga ta nuk i përmendi njësitin elitar të Policisë së Kosovës FIT. /Periskopi/